Graham Potter: Mezi po e prisja Felix në Londër, shpresoj të jetë gati sa më shpejt

Me transfertën e Joao Felix te Chelsea, tekniku Graham Potter ka siguruar se “luziatni” do të bëjë diferencën në sulm dhe se ai pret me padurim të fillojë të punojë me të. Portugezi ka nënshkruar me Chelsean deri në fund të sezonit një kontratë huazimi për të cilën skuadra angleze ka paguar më shumë se 11 milionë euro.

“Ai është një lojtar cilësor, ai do të bëjë diferencën në sulm dhe mezi pres të filloj të punoj me të. Ai është i ri dhe ka shumë eksperiencë. Na ka dhënë një shtysë të gjithëve. Kam kohë që jam në dijeni të operacionit, por me dëmtimet që kemi pasur, jemi përshpejtuar për të. Është mirë ta kemi atë këtu dhe se ai tani mund të stërvitet me ne.”,- është shprehur në fjalën e tij, tekniku Potter.

Potter deklaroi se ata janë në pritje të konfirmimit për të parë nëse ai do të jetë në gjendje të luajë kundër Fulham këtë të enjte.

Ndërkaq, amerikani Christian Pulisic do të mungojë për disa muaj për shkak të lëndimit, dëmtim ky që lë të lirë portugezin Joao Félix për të fituar një vend në njëmbëdhjetëshen titullare.

Graham Potter konfirmoi seriozitetin e dëmtimit të Pulisic, i cili dëmtoi gjurin e tij në ndeshjen e javës së kaluar kundër Manchester City, të cilën Chelsea e humbi (0-1). Lojtari u largua nga fusha me një dhimbje në gju dhe Potter tha në një konferencë për shtyp të mërkurën se ai do të jetë “jashtë për disa muaj”. /albeu.com


Shtuar 12.01.2023 18:10