SHBA nuk ndalet, njofton sanksionet e reja ndaj Rusisë

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, po flet nga Shtëpia e Bardhë dhe pritet të njoftojë se SHBA, së bashku me G7 dhe Bashkimin Evropian, do të bëjnë thirrje për revokimin e statusit të “kombit më të favorizuar” për Rusinë, të referuara si marrëdhënie të përhershme normale tregtare në SHBA, thonë për CNN burime të njohura.

Ky veprim kërkon një akt nga Kongresi.

Çdo vend pritet ta zbatojë këtë masë bazuar në proceset e veta kombëtare. Burimet vunë në dukje përpjekjet e Kongresit për të anuluar marrëdhëniet e përhershme normale tregtare të Rusisë.

Kujtojmë se, CNN raportoi të enjten se bisedimet dypartiake në Senat kishin marrë formë për të ndërmarrë veprime më agresive mbi statusin tregtar të Rusisë, pasi Shtëpia e Bardhë në mënyrë efektive hodhi poshtë projektligjin e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve që ndalonte importimin e naftës, gazit natyror dhe qymyrit rus në SHBA .

Versioni i mëparshëm i legjislacionit kishte përfshirë një dispozitë që do të pezullonte marrëdhëniet e përhershme normale tregtare për Rusinë dhe Bjellorusinë. Por Shtëpia e Bardhë shprehu shqetësime për atë pjesë të projektligjit, dhe në fund ajo u hoq. Projektligji që ndalon importet ruse të energjisë, i cili kaloi në Dhomë të mërkurën mbrëma, kërkonte thjesht një rishikim të statusit të Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë.