Agresioni kundër Ukrainës e ka frenuar globalizimin

Nga Rita Lofano “Linkiesta

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Pushtimi rus i Ukrainës ka rikthyer në krye të axhendës çështjet që vetëm disa muaj më parë dukej se ishin bërë anakronike: sigurinë energjetike dhe krizën ushqimore. Çmimet e energjisë po bien, por emergjenca nuk ka përfunduar. Gara për furnizimet po shkakton një konkurrencë të fortë globale.

Konflikti në zemër të Evropës, me pasojat e tij negative mbi furnizimet, e ka nxjerrë akoma më shumë në pah brishtësinë e modelit të zhvillimit të bazuar në zinxhirët globalë të vlerave, duke nxitur proteksionizmin, copëzimin, dhe duke e përshpejtuar prirjen anti-globaliste, që e ka dominuar pjesën e fundit të shekullit shekullit XX.

Bota po riorganizohet në blloqe, me njërën qendër të gravitetit në Atlantik dhe tjetrën në Kinë (roli i Rusisë është i lidhur me rezultatin e konfliktit). Ligji për të luftuar inflacionin dhe për të mbështetur luftën kundër ndryshimeve klimatike i miratuar së fundmi në SHBA (Akti i Reduktimit të Inflacionit) po i vë shumë në vështirësi kompanitë në Kontinentin e Vjetër, duke rrezikuar të shkaktojë një luftë tregtare.

BE synon të vazhdojë të lejojë motorët me djegie të brendshme edhe pas vitit 2035, po i thotë po karburanteve sintetike dhe po hap negociatat për biokarburantet. Tranzicioni i gjelbër po shfaqet kaotik dhe përçarës, ndërsa treguesit tregojnë se lëndët djegëse fosile, veçanërisht gazi natyror, do të vazhdojë të përbëjë pjesën më të madhe të konsumit energjitik edhe për një kohë të gjatë.

Në vitin 2021, më shumë se gjysma e furnizimeve me naftë dhe rreth treçereku i e furnizimeve me gaz po mbërrinin në Evropë nga Rusia. Tani Evropa i merr furnizimet e saj nga Algjeria, Shtetet e Bashkuara, Norvegjia, Lindja e Mesme dhe shtete të tjera afrikane, në një kohë që po investon në burimet e rinovueshme dhe efikasitetin e energjisë.

Furnizimet e Moskës u devijuan për në Kinë dhe Indi. Jemi përpara një ndryshimi strukturor në atë që duket të jetë një rend i ri botëror në krijim e sipër. Shtetet e Bashkuara (të cilat janë në rrugën e duhur për t’u bërë eksportuesi më i madh në botë i gazit të lëngshëm LNG brenda këtij viti) po synojnë vetë-mjaftueshmërinë e energjisë dhe më pak varësi nga Kina për prodhimin e teknologjive të gjelbra (prandaj u miratua edhe Akti i Çipave për Amerikën).

Oferta rekord e naftës prej 101.1 milionë fuçi në ditë këtë vit, nuk do të jetë në gjendje të plotësojë kërkesën sipas IEA e cila pret një çekuilibër të konsiderueshëm. OPEC+ njofton një ulje të papritur të kuotave dhe çmimet do të nisin të rriten sërish.

Paradoksalisht, deri në fund të vitit, kur Emiratet e Bashkuara Arabe do të presin konferencën e OKB-së për klimën, bota mund të kërkojë nga Abu Dhabi më shumë naftë bruto. Nga lojtarët e mëdhenj si Evropa, Shtetet e Bashkuara, Kina dhe India, tek shteti i vogël në bregdetin e Atlantikut Verior të Amerikës së Jugut, Guajana, vendi i dytë më i varfër në kontinent, ku PBB-ja ka rritjen më të lartë në botë (+57 për qind në vtin 2022) dhe ku në vitin 2015 në brigjet e tij u zbulua një nga fushat më të mëdha të naftës në planet.

Pastaj protagonist është edhe Brazili, ku presidenti Lula synon të diktojë axhendën për klimën dhe shpyllëzimin, Nigeria (gjiganti afrikan ku popullsia është rritur me 30 për qind në 20 vitet e fundit) dhe Qiproja (ku zgjedhjet e shkurtit të kaluar ishin të parat e një serie ndër aktorët e përfshirë në çështjen qipriote).

Në Turqi, pas 20 vitesh të pandërprera në pushtet të Recep Tayyip Erdogan (është lideri më jetëgjatë në pushtet bashkë me Vladimir Putinin), zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare janë caktuar për më 14 maj dhe rezultati nuk është shumë i qartë.

Ankaraja është afër Moskës, edhe pse zyrtarisht është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ajo veproi si ndërmjetëse për lejimin e eksportit të drithërave ukrainase. Në fund të këtij muaji, lideri turk do të presë Putinin për të inauguruar reaktorin e parë bërthamor të ndërtuar nga Rusia në Turqi.

Gjeopolitika e energjisë po ndryshon para syve tanë. Globalizimi dhe de-globalizimi alternohen përgjatë historisë, ato ndërtojnë dhe ç’ndërtojnë. Aktualisht jetojmë në një botë më të vogël ku loja është gjithmonë më e madhe. /albeu.com


Shtuar 9.05.2023 11:02