Zgjedhjet e 14 majit, Erdogan shpreson ende te mbështetja e diasporës turke në Gjermani

Nga Futura D’Aprile “Linkiesta

Përktheu: Alket Goce-AlbEu

Zgjedhjet në Turqi janë caktuar për në 14 maj. Por diaspora turke ka nisur të votojë më herët, dhe vota e saj duket se do të jetë vendimtare për zgjedhjet me një rezultat veçanërisht të pasigurt. Jashtë vendit, qendrat e votimit janë të hapura që nga data 27 prilli dhe deri më 9 maj, por jo të gjitha vendet kanë të njëjtën peshë.
Vëmendja kryesore është në Gjermania, ku jetojnë rreth 3 milionë njerëz me origjinë turke. Prej tyre, të paktën 1.5 milionë njerëz kanë të drejtën e votës në Turqi. Në të kaluarën ata kanë rezultuar të jenë një mbështetje e rëndësishme për presidentin aktual.

Pesha e diasporës gjermane

Në vitin 2017, me rastin e referendumit për ndryshimin e Kushtetutës, 63 për qind e turqve që jetojnë në Gjermani votuan pro transformimit të Turqisë në një republikë presidenciale, duke e konfirmuar Erdoganin në krye të shtetit me 64.8 për qind të votave.

Një shifër edhe më e lartë se ajo e regjistruar në vend nga udhëheqësi turk. Në Turqi vetëm 51 për qind e votuesve mbështetën reformën, dhe 52.6 për qind votuan më pas pro Erdoganit në zgjedhjet presidenciale.

Rezultatet e diasporës turke në Gjermani janë edhe më domethënëse kur krahasohen me ato të regjistruara mes diasporave të tjera në vitin 2018: 21 për qind e turqve të diasporës votuan për presidentin Erdogan në Britani, 17 për qind në Shtetet e Bashkuara, 25 për qind në Iran dhe 29 për qind në Katar.

Kreu i Partisë Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) është i vetëdijshëm se vota e turqve në Gjermani mund të bëjë diferencën, prandaj ka kërkuar zgjerimin e numrit të qendrave të votimit të hapura në përfaqësitë konsullore të qyteteve kryesore gjermane. Ato janë rritur nga 13 në 16.

Gjithsesi për zyrtarët turq, qeveria gjermane nuk ka bërë mjaftueshëm. Ankaraja kishte kërkuar hapjen e deri në njëzet e gjashtë zyrave, por Berlini u kufizua në miratimin e vetëm 3 qendrave shtesë për të shmangur problemet me numërimin e votave. Vendimi i Gjermanisë i bezdisi autoritetet turke dhe e riktheu vëmendjen tek fërkimet e vjetra, gjithnjë në lidhje me zgjedhjet.

Integrimi i dështuar dhe lidhjet me atdheun

Prej gati 10 vitesh, liderët e partive të huaja nuk kanë mundur të mbajnë mitingje në tokën gjermane në 30 ditët përpara zgjedhjeve. Ky ndalim u vendos në vitin 2014, pasi Erdogan e përdori 10-vjetorin e themelimit të Unionit të Turqve Demokratë Evropianë në Këln si një rast për të ngacmuar turmën dhe për të kërkuar vota përpara zgjedhjeve presidenciale që mbaheshin në gusht të atij viti.

Fjalimi i liderit turk shkaktoi disa probleme për autoritetet vendore dhe kombëtare, të cilët deri në fund shpresuan që aktiviteti të anulohej. Gati 10 vjet më vonë, mitingu i mbajtur nga Erdogan shkakton ende diskutime, dhe është një shkak i fërkimeve midis qeverisë turke dhe asaj gjermane.

Gjithsesi Erdogan ka mundur të shfrytëzojë marrëdhëniet jo gjithmonë të mira me Berlinin, për të fituar mbështetjen e asaj pjese të diasporës turke, e cila ende ndihet e refuzuar nga vendi në të cilin ka jetuar për dekada. Brezi i parë i shtetasve turq mbërriti në Gjermani në vitet 1960, falë një marrëveshjeje të nënshkruar midis dy qeverive.

Por 60 vjet më vonë, jo të gjithë e kanë marrë nënshtetësinë gjermane dhe as nuk janë integruar plotësisht në shoqërinë gjermane. Klasa politike kombëtare nuk ka mundur ta thjeshtojë procesin e natyralizimit të diasporës turke, e cila në dallim nga ato që vijnë nga Rusia apo ish-republikat sovjetike ka shumë më tepër probleme në marrjen e nënshtetësisë gjermane. Qeveritë turke kanë arritur që ta shfrytëzojnë në favorin e tyre këtë vakum, sidomos nën udhëheqjen e Erdogan.

Identiteti i rishkruar:Nacionalizmi dhe feja

Forcimi i lidhjeve midis diasporës dhe atdheut ka filluar që në vitet 1980 përmes ambasadave turke dhe institucioneve të tjera aktive jashtë territorit kombëtar. Por procesi u konsolidua edhe më shumë me institucionin e Diyanetit, një organ shtetëror i ngarkuar nga Erdogan me menaxhimin e çështjeve fetare jashtë vendit.

Në veçanti, Diyanet ofron kurse studimi por edhe të edukimit fetar për grupmosha të ndryshme. Po ashtu kujdeset për dërgimin e imamëve dhe predikuesve në Evropë. Prandaj, qytetarëve turq jashtë vendit u bëhet thirrje ta njohin veten si të tillë, sipas një interpretimi
jo vetëm nacionalist, por edhe fetar dhe konservator, në përputhje me mendimin e Erdoganit.

Megjithatë, ky vizion është tërheqës vetëm për një lloj të caktuar diaspore, pra për ata turq
që tashmë e njohin veten në vlerat që po udhëheqin politikat e presidentit Erdogan, dhe që nuk përputhen me tërësinë e komunitetit turk jashtë vendit.

Sidomos gjatë 10 viteve të fundit, gjithnjë e më shumë njerëz nga shtresa e lartë dhe e mesme urbane kanë mbërritur në Gjermani, më të arsimuar, me një përvojë të mëparshme jashtë vendit dhe më të politizuar sidomos pas demonstratave të Parkut Gezi të vitit 2013 kundër presidentit, të cilat u shtypën me gjak nga autoritetet.

Pra diaspora turke është shumë e larmishme dhe jo tërësisht në favor të presidentit aktual. Megjithatë mangësitë e qeverisë gjermane dhe përhapja e institucioneve turke, janë që të gjitha elemente që i kanë garantuar Erdoganit një mbështetje të gjerë në mesin e bashkatdhetarëve të tij jashtë vendit. Mbetet të shihet nëse presidenti do të arrijë të fitojë edhe një herë zemrat e bashkatdhetarëve të tij jashtë vendit, apo ëndrra e një Turqie ndryshe, ajo e premtuar nga opozita, do të jetë më magjepsëse për ta./albeu.com