Bekteshi: Ulja e çmimeve për produktet bazë, pasi të harxhohen rezervat e marketeve

Ministri i Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut, Kreshnik Bekteshi tha se pas masave të qeverisë për subvencionim të energjisë elektrike për kompanitë që prodhojnë produkte bazë ushqimore, kompanitë kanë nisur të krijojnë çmime të reja të cilët pritet të jenë më të ulëta, përcjell TV21.

Bekteshi tha se për të vërejtur uljen e çmimeve te produktet bazë, fillimisht duhet të harxhohen rezervat që kanë krijuar kompanitë më herët.

“Deri me 1 dhjetor supermarketet nuk kanë qenë të zbrazura, me aq sa di unë edhe para 1 dhjetorit pa pasur produkte në supermarketet në vend, në depot e tyre ka pasur produkte. Edhe produkte vendore, që shfrytëzojnë shpërndarës edhe produkte që importohen në shtetin tonë, këto quhen rezerva, këto rezerva janë marrë me çmime të ndryshme, rezervat e reja merren me çmime të tjera që janë më të ulëta se të mëparshmet, që do të thotë se rezervat duhet të harxhohen dhe me siguri do të harxhohen gjatë kësaj jave dhe javës tjetër dhe do të vëreni ulje të çmimeve të këta produkte”, tha Bekteshi.

Bekteshi theksoi se pas kësaj periudhe pritet të veprojë edhe Inspektorati Shtetëror i Tregut.

“Ligji për Mbrojtje të Konsumatorëve është miratuar në fund të nëntorit dhe tani është në fuqi, por si çdo ligj që miratohet, ka afate për nisjen e implementimit, gjithsesi ka edhe institucione që e zbatojnë këtë zgjidhje ligjore, në përkatësisht Inspektorati Shtetëror i Tregut”, pohoi Bekteshi.