Belind Këlliçi me qytetarët e Njësisë Nr.7: Luftë korrupsionit në Bashki, 5 prioritetet për qytetarët

Kandidati për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ka zhvillur një takim me banorët e Njësisë Nr.7 te “Fusha e Aviacionit”.

Gjatë fjalës së tij, Këlliçi  deklaroi para qytetarëve se nuk tërhiqet nga zotimi i tij për të luftuar korrupsionin dhe modelin Eiron Veliaj, dhe lidhjet e tij me aferat e abuzimin me postin.

“Ai posteri im i gishtave i ka mërzitur shumë njerëzit…i ka mërzitur shumë që unë i kam nxjerr zemrën qytetarëve, dhe i kam nxjerr gishtin korrupsionit. Janë mërzitur të gjithë hipokritët që jetojnë në Tiranë, që punojnë në Tiranë. Analistët e mediave, që mbrojë nga mëngjesi deri në darkë korrupsionin, që mbrojnë inceneratorët fantazëm, që janë të gatshëm të thonë se kanë hypur në trenin elektrik të Erion Veliajt, që janë të gatshëm të dalin në media dhe të na numërojnë 1 milionë pemët e Erion Veliajt. Sistemi që është ngritur sot në Tiranë, që është krejt i kalbur, korruptiv, i bazuar në lidhjet më okulte të kryetarit të Bashkisë me Ndraghetën italiane, të kryetarit të bashkisë me mafien e ndërtimit, ne bashkë do ta zhbëjmë në 14 maj. Ua them dhe njëherë, që pas datën 14 maj, do zhvilloj një luftë me tolerancë zero ndaj korrupsionit, pa etikë dhe me gishtat ngritur ndaj vjedhjeve në bashkinë e Tiranës”.

Në këtë këndvështrim, Këlliçi drejtoi një pyetje për kritikët e posterit, duke sjellë në vëmendjen denoncimin për kreun e IMT-s, Mariglen Qato, ku ky i fundit ka përfituar 25 milionë euro tendera nga bashkia e Tiranës, ndonëse është vartës direkt i Erion Veliajt.

“Ndërkohë, ditën e djeshme, unë nxora një aferë të një drejtori, në bashkinë e Tiranës, që quhet Mariglen Qato, që është Drejtori i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, që s`ka lënë qytetar pa gjobitur në Tiranë, që ka hapur një kompani bashkë me familjarët e vetë në vitin 2016 kur ishte drejtor UKT-je, që ka marrë 25 milionë euro nga taksat e bashkisë, që ka futur familjarët e vet te financa e UKT-s, ku vetë ishte drejtor dhe vet me institucionin e vet paguan kompanitë e veta, dhe nuk dëgjova njeri dje që të fliste për këtë. Ku janë këta analistët që u shqetësuan për posterin?”-tha Këlliçi.

Ai u ndal te angazhimet e tij për Tiranën, ndërsa theksoi edhe para banorëve të Njësisë Nr.7, se pas 14 majit, transporti publik do të jetë falas, ndërsa u shpreh se përfitues do të jenë shtresat e thjeshta të shoqërisë.

“Po falas do të jetë! Pas 14 majit ua garantoj unë se në autobus do të hipni pa paguar. Do të hipni në autobusa shumë herë më të mirë se këta që janë sot. Pse? Sepse janë paratë, ne nuk jemi të varfër por jemi të vjedhur. Kur paska para 430 milionë euro për incenerator fantazëm, shqetësohen këta pse kam gjetur unë 16.5 milionë euro për studentët, për pensionistët, për të hipur në autobus falas, pse do t`ua lehtësojë unë jetën 200 mijë qytetarëve në ditë, pse do t`i mundësoj unë atyre banorëve të Shëngjergjit që të mos paguajnë më 2 mijë lekë biletën për të vajtur nga Shëngjergji në Kinostudio! Apo pse do t`i lehtësojë jetën mijëra e mijëra studentëve në Tiranë, të cilët vetëm në masën 22% mund të marrin një abone”-tha Këlliçi.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi theksoi gjithashtu se 14 maji pritet me padurim edhe nga socialistët, të cilët kërkojnë të largojnë sektin e Erion Veliajt nga drejtimi i bashkisë.

“Se edhe ata janë goditur nga banda e “G99” dhe “Mjaft-it” në Bashkinë e Tiranës. Unë betejën e kam me Erion Veliajn dhe sektin e tij të “G99” dhe të “Mjaft-it” në Bashkinë e Tiranës. Ka socialistë të ndershëm, ma besoni, që më shkruajnë çdo ditë. Mbi gjysmën e denoncimeve që unë marr, e marr nga brenda bashkisë së Tiranës, që janë të parët që me zor presin 14 majin për të shpëtuar nga përçudnimi dhe poshtërimi që u bën Erion Veliaj çdo ditë me  bukën e gojës”-u shpreh Këlliçi.