Sërish një lajm i mirë: Në këto 5 vatra, ka vetëm 1 të infektuar

Vijon të ulet numri i personave të infektuar me koronavirus në vendin tonë. Gjatë 24 orëve të fundit, Ministria e Shëndetësisë tha se kanë rezultuar pozitivë vetëm 7 persona, duke e çuar në 789 numrin total të të infektuarve.

Ndërkohë, numri i të shëruarve vijon të rritet dita-ditës, ku tashmë shumica e të infektuarve e kanë fituar betejën me virusin e rëndë.

Një tjetër lajm i mirë është edhe fakti se në disa bashki të mëdha të vendit nuk ka më persona të infektuar, ndërsa në disa bashki të tjera regjistrohet vetëm një rast aktiv, siç janë: Fieri, Korça, Lezha, Lushnja dhe Mati. Aktualisht, në vend janë katër vatra të nxehta, si: Tirana, Shkodra, Kruja dhe Kurbini.

Shpërndarja gjeografike e rasteve active (mungojnë bashkitë që nuk kanë më të infektuar):
Tiranë 90
Shkodër 20
Krujë 89
Fier 1
Kurbin 24
Korçë 1
Elbasan 2
Kukës 5
Lezhë 1
Lushnje 1
Mirditë 2
Berat 2
Mat 1

Pavarësisht se nga e hëna do të ketë një lehtësim tjetër të masave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë distancimin fizik dhe të mbajnë higjienën personale.
Është shumë e rëndësishme të respektohen këto masa, pasi deri në momentin që nuk kemi një vaksinë apo trajtim të përcaktuar dhe për këtë vigjilenca duhet të jetë maksimale.

Të moshuarit apo dhe qytetarët me sëmundje kronike duhet të vazhdojnë të komunikojnë me mjekun e familjes për recetat me rimbursim, duke evituar sa më shumë të jetë e mundur kontaktet me institucionet shëndetësore, përvec rasteve kur është e domosdoshme.


Shtuar 2.05.2020 09:44