Shtatë mënyra për ta dërrmuar vërtet ekonominë e Rusisë

Nga Petro Poroshenko “World Crunch

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Ukraina mund ta fitojë këtë luftë që nuk e filloi vetë, dhe ta detyrojë Rusinë, shtetin agresor, që të mbajë përgjegjësi ndërkombëtare për këtë akt. Kjo do të jetë fitorja jonë e përbashkët me të gjitha vendet demokratike të botës. Betejat e ashpra në front vazhdojnë, si ato në Bakhmut, dhe heronjtë ukrainas po vdesin në fushën e betejës.

Edhe civilët ukrainas vazhdojnë të vdesin, nga Bucha në marsin e vitit të kaluar, në Dnipro në janar të këtij viti. Rusia ka nisur një ofensivë të re, duke synuar të hakmerret për dështimet e mëdha të fushatës së saj ushtarake, e cila në pak më pak se një vit nuk ka arritur asnjë nga qëllimet e vendosura nga Rusia para pushtimit.

Në fund të muajit të kaluar, diktatori rus bëri një sërë deklaratash në lidhje me planet e Kremlinit në këtë luftë. Fjalimi i tij zbuloi disa pika kyçe:që lufta do të jetë e gjatë dhe rraskapitëse; që kostot njerëzore dhe financiare janë të pa rëndësishme për të; që mobilizimi i ardhshëm të mund të ndodhë shumë shpejt, edhe pse do të kryhej në një lloj fshehtësie, dhe se Rusia ka mjaftueshëm para për të zhvilluar një luftë të gjatë.

Sipas të dhënave paraprake të Bankës Botërore, PBB-ja e Rusisë ra vitin e kaluar  me vetëm 3.5 për qind. Është e qartë se në një periudhë afatgjatë, sanksionet do të kenë një ndikim negativ mbi ekonominë ruse, do ta privojnë atë nga shanset për modernizim dhe do ta zhysin  në një recesion të gjatë.

Sanksionet kanë vendosur një “minë me sahat” në këtë vend, duke e shndërruar gradualisht atë në një “Iran” ortodoks. Por ne kemi nevojë për një efekt të shpejtë të tyre, që edhe nëse nuk e rrëzojnë Putinin, të paktën do ta pengojnë atë të ketë burimet e nevojshme për të zhvilluar një luftë të gjatë.

Mos harroni se ndërsa bota është duke pritur efektin e sanksioneve, makineria ruse e vdekjes po e vazhdon punën e saj në Ukrainë, duke i masakruar ukrainasit. Sanksionet nuk janë qëllim, por vetëm një mjet. Synimi është fitorja në luftë dhe rivendosja e paqes.

Për momentin Rusia nuk është aq e shqetësuar për humbjen e tregut evropian të gazit, sepse po e shet atë sasi gazi tek Kina, duke vazhduar të fitojë shuma marramendëse nga eksportet e saj të naftës dhe gazit. Në muajt e parë të luftës, çmimet e naftës dhe gazit u rritën shumë.

Dhe Moska fitoi vjet 350 miliardë dollarë (!!!) nga eksportet e saj energjitike. Me një fond të tillë gjigant, ajo mund të luftojë për aq kohë sa do të dojë, dhe jo vetëm kundër Ukrainës.  Prandaj është detyrë e botës demokratike që këtë vit t’ia zvogëlojë ndjeshëm këto të ardhura.

Të mos harrojmë se dikur ishte rënia e çmimit të naftës ajo që solli shembjen e Bashkimit Sovjetik. Dhe para saj, ajo e detyroi Gorbachev të tërhiqte trupat sovjetike nga Afganistani. Vetëm në dhjetor 2022 hynë në fuqi sanksionet më të fuqishme:kufizimet e çmimeve ndaj naftës ruse dhe një embargo për eksportet e saj nga deti.

Paketa e dhjetë e sanksioneve të BE-së, duhet të jetë gati në përvjetorin e parë të pushtimit rus të Ukrainës. Sikurse është bërë me dije tashmë ajo “do të fokusohet kryesisht në mbylljen e boshllëqeve, në dhënien fund të shmangies së sanksioneve, dhe në marrjen e masave të forta ndëshkuese për ata që shmangin sanksionet e Bashkimit Evropian dhe që vazhdojnë bizneset me Rusinë.

Ky është një hap në drejtimin e duhur, megjithatë nevojitet sërish një qasje më ambicioze. Ne ukrainasit këmbëngulim për vendosjen e sanksioneve më vendimtare, të cilat së bashku me një rritje të furnizimit me armë, do ta detyrojnë Putinin të kërkojë paqe para fundit të këtij viti.

Ja cilat janë 7 hapat që duhet të ndjekë bota:

  1. Ne presim që brenda marsit vendet e G7-ës të ulin më tej kufirin e çmimit për naftën ruse. Sepse deri më tani, ky kufi maksimal ka qenë shumë i lartë, shumë më i lartë sesa çmimi standard i tregut.
  2. Ne kërkojmë ndalimin e transportit të naftës ruse nga kompanitë e mëdha. Kjo duhet të kombinohet me ndëshkim për të gjithë ata që e fshehin vendin e origjinës së naftës.
  3. Mbështetur tek ligji ndërkombëtar, duhet të bllokohet kalimi në Kanalin e Suezit të mallrave ruse të eksportit që janë objekt i sanksioneve, përfshirë ngarkesat energjitike që nuk mbulohen nga kompanitë e sigurimit, të njohura për pajtueshmërinë legjitime me regjimin e sanksioneve.
    Duhen refuzuar praktikat e kompanive të sigurimeve jo të besueshme, të cilat janë nën ndikimin rus apo partnerëve të tyre nuk respektojnë regjimin e sanksioneve. Shkelësit duhet të ndalohen nga forcat detare të vendeve anëtare të NATO-s. Si rezultat, rusët do të detyrohen të ndjekin rrugën shumë më të gjatë të transportit të naftës në Azinë Jugore nëpërmjet ngushticës Vasco da Gama sesa direkt përmes Kanalit të Suezit.
  4. Duhet të monitorohet rreptësisht tregtia ruse e gazit natyror të lëngshëm. Ne jemi mirënjohës që furnizuesit e pajisjeve dhe teknologjisë – kompania Total e Francës, gjermanet Linde dhe Siemens, dhe japonezja Mitsui – kanë ndërprerë tashmë bashkëpunimin me projektin Arktik LNG2, si dhe Dwewoo Heavy të Koresë së Jugut, që refuzoi një porosi joshëse prej 15 cisternash moderne nga Moska.
  5. Është e nevojshme mbyllja e rafineria ruse të naftës Druzhba , e cila furnizon një nga rrjetet më të gjata të transportit të naftës në botë.
    Ne kemi nevojë për ndihmë që të arrijmë për këtë një marrëveshje me hungarezët, çekët dhe sllovakët. Është absurde që ndërsa rusët po shkatërrojnë infrastrukturën e Ukrainës, ne jemi të detyruar të pompojmë rreth 12 milionë tonë naftë ruse! Në marrëveshje me partnerët tanë, Ukraina do të ndalojë si funksionimin e “Druzhba”-as por edhe të bllokojë segmentin tonë në sistemin e transportit të gazit (GTS). Arsyeja e vetme pse vazhdojmë të pompojmë naftë dhe gaz rus, është sepse e kuptojmë pozicionin e partnerëve tanë që konsumojnë ende energjinë ruse.
  6. Rosatom, kompania shtetërore ruse e energjisë bërthamore, meriton sanksionet më të rrepta si bashkëpunëtore në krimet e ushtrisë ruse në termocentralet bërthamore të Çernobilit dhe Zaporizhia. Ne mund ta privojmë Rusisë nga thuajse 10 miliardë dollarë, duke i hequr asaj shërbimet e pasurimit të uraniumit dhe aftësinë për të ndërtuar më shumë termocentrale bërthamore. Të mos harrojmë se vetë Rusia po e shantazhon gjithë botën me armët e saj bërthamore.
  7. Aktualisht janë bllokuar rreth gjysma e rezervave valutore të Moskës, më shumë se 300 miliardë dollarë. Ndërkohë më shumë se 130 miliardë dollarë në ar duhet të garantohen si jo likuide. Nuk mjafton thjesht ndalimi i blerjes së arit nga Rusia. Duhet të bllokohet gjithashtu çdo mundësi e përdorimit të tij si kolateral apo instrumente të tjera. Ari i Rusisë është ar i ndotur me gjak, diamantet ruse po ashtu, sidomos nëse shohim biznesin e pistë të Grupit Vagner në vendet afrikane.

Sipas parashikimeve, kufizimet reale në sektorin e naftës dhe gazit, nëse ato bëhen plotësisht funksionale këtë vit, do të tkurrin eksportet ruse nga 530 në 300 miliardë dollarë, dhe hapat që propozojmë ne do ta privojnë Rusisë nga 30 miliardë dollarë të tjerë të ardhura nga eksporti.

Një detyrë tjetër në muajt e ardhshëm do të jetë përgatitja e një ofensive ushtarake të mjaftueshme për të çliruar Ukrainën nga pushtuesit, dhe për t’i dekurajuar ata që të sulmojnë vendet e tjera.

Nuk kërkohen vetëm tanket, por raketat ATACMS, avionët luftarakë modernë F16 dhe helikopterët sulmues Apache. Sanksionet dhe armët, janë ato që do të na mbrojnë të gjithëve nga përshkallëzimi rus. Vetëm ato do të sigurojnë fitoren tonë të përbashkët dhe paqen e shumëpritur. /albeu.com

Shënim:Petro Poroshenko, biznesmen dhe politikan ukrainas. Në vitet 2014-2019, ka qenë presidenti i pestë i Ukrainës.


Shtuar 11.02.2023 13:41

Tags: