Shqiptarja sulmohet dhe dhunohet nga ish-bashkëshorti italian, arrestohet autori

Karabinierët e Bolonjës arrestuan një 39-vjeçar italian për keqtrajtim dhe dhunë ndaj ish-bashkëshortes së tij, një 40-vjeçare shqiptare.

Sipas mediave vendase, ngjarja ka ndodhur në orën 21.45 të ditës së djeshme, kur Karabinierët e Qendrës Operacionale të Bolonjës kanë marrë një telefonatë nga gruaja, banuese në lagjen Porto-Saragozza, e cila pasi është mbyllur në dhomën e gjumit, ka kërkuar ndihmë për shkak se ish-bashkëshorti, ende duke bashkëjetuar, po e rrihte.

Vetëm pas mbërritjes së karabinierëve, shqiptarja, e cila ishte asistente e shëndetit social, doli nga dhoma dhe shkoi në polici duke i kërkuar ta mbronin nga ish-partneri i saj, nga i cili edhe pse bashkëjetonte, ishte ndarë prej rreth 1 viti pas një martese 6-vjeçare.

Gruaja ka raportuar se është kërcënuar me vdekje gjatë një debati për arsye të kota, është sulmuar, tërhequr flokët, goditur me shkelma dhe grushta në pjesë të ndryshme të trupit. E shpëtuar nga punonjësit e shëndetësisë, gruaja nuk kishte ndërmend të shkonte në një institucion shëndetësor. Me urdhër të Prokurorit Publik të Bolonjës, 39-vjeçari i arrestuar nga Karabinierët u dërgua në burg.