Kontrollet e policisë në kampin e MEK, Yuri Kim: Mbështesim Shqipërinë, e vendos ajo nëse do t’i largojë

Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, komentoi sot gjatë fjalimit të saj lamtumirës kontrollet e policisë shqiptare në kampin e MEK në Manzë dje, 20 qershor.

Yuri Kim tha se qeveria shqiptare e ka vetë në dorë nëse duhet të vendosë që t’i largojë apo jo. Kim shtoi se mbështet, të drejtën e Shqipërisë për të zbatuar ligjet e saj.

‘”Ky është një vendim që duhet ta marrë qeveria shqiptare. Një gjë është e qartë ne mbështesim të drejtën e Shqipërisë për të zbatuar ligjet e saj në vendin e saj. Ka gjithashtu terma të caktuar të cilat zbatohen për çdo lloj mysafiri në vendin tuaj dhe kështu duhet të bëjnë edhe ato për ju, t’ju zbatojn.” tha Kim.

Dje Policia e Shtetit zhvilloi një kontroll të gjerë në kampin e Muxhahedinëve të MEK në Manzë të Durrësit pas një vendimi të lëshuar nga Gjykata e Tiranës.

Gjatë kontrollit pati pëplasje mes policisë dhe muxhahedinëve në kamp, të cilët rezistuan për të dhënë dokumentacionin e kërkuar si edhe hapjen e të gjitha ambienteve.

Nga kontrollet në kamp u gjetën edhe servera, nga të cilët dyshohet se janë kryer sulme kibernetike. Nuk ka ende të dhëna nëse sulmet kanë qenë brenda vendit apo kanë shënjestruar vende të tjera.

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) e ka përkrahur aksionin policor të Shqipërisë më 20 qershor, kur Policia e Shtetit kreu kontrolle në kampin e Manzës së Durrësit, ku janë të strehuar rreth 3.000 pjesëtarë të opozitës iraniane. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka konfirmuar se gjatë këtij aksioni ishin lënduar 15 zyrtarë policorë dhe 21 anëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK).

Zëdhënësi i DASH-it gjithashtu shtoi se SHBA-ja nuk e cilëson MEK-un “lëvizje opozitare të qëndrueshme demokratike që përfaqëson popullin iranian”, por ka “shqetësime serioze për MEK-un si organizatë, përfshirë akuzat për abuzim të kryera kundër anëtarëve të tij”, shkruan REL. Drejtori Rrumbullaku tha se kur kishte nisur kontrolli i të gjitha objekteve brenda kampit, kur u konstatuan paligjshmëri, salla serverash dhe pajisje kompjuterike, nisi rezistenca e anëtarëve të MEK.

Zyrtarët e Shqipërisë nuk bënë të ditur se çfarë hetimi po kryen SPAK-u ndaj anëtarëve të MEK. Përfaqësuesit e Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), thanë se një person ka humbur jetën si pasojë e përdorimit të gazit lotsjellës nga policia.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, tha se vdekja e një personi brenda MEK-ut, të martën, nuk ka asnjë lidhje me veprimet e policisë.
I pyetur nëse fshihen iranianët e MEK-ut pas sulmeve kibernetike që u kryen në korrik të vitit të kaluar, që çuan në prishjen e marrëdhënieve diplomatike me Teheranin, ministri Çuçi refuzoi të përgjigjej./albeu.com/ 

 


Shtuar 21.06.2023 10:34