U ekzekutua teksa pinte kafe, Ardian Nikulaj përcillet nesër për në banesën e fundit

Biznesmeni Ardian Nikuaj, i cili u ekzekutua dje me armë në lokalin e tij teksa pinte kafe në Shëngjin do të përcillet nesër për në banesën e fundit.

Ceremonia mortore do të mbahet nesër në orën 13:00, ndërsa 50-vjeçari do të prehet në varrezat Kodër Marlekaj.

Autorët e vrasjes së Nikulajt nuk janë identifikuar ende. Policia ka ngritur pika të shumta kontrolli në të gjithë territorin, gjithashtu kanë qenë të shumtë personat e shoqëruar në komisariatin e Lezhës për të deklaruar.

Sipas informacioneve, policia ka kryer disa kontrolle banesash dhe janë marrë pamjet e kamerave të sigurisë në zonë për të parë drejtimin në cilin ka lëvizur autori.

Burime bëjnë me dije se autori ka vepruar i vetëm në këtë vrasje dhe është larguar në drejtim të Shkodrës, por ende nuk është e qartë dhe për hetuesit nëse është larguar nga lagjia “Nënë Tereza” për të dalë në aksin rrugor Lezhë-Shkodër apo ka dalë nga aksi rrugor Shëngjin- Lezhë.

Arduan Nikulaj ishte kandidat për deputet nën siglën e PSD në zgjedhjet e vitit 2021. Edhe në këto zgjedhje që mbahen më 14 maj ishte kandidat për Këshillin Bashkiak.

Shërbimet e policisë, kanë ngritur pika kontrolli dhe është rrethuar zona ku vijojnë kontrollet për kapjen e autorit/ve. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të ngjarjes./albeu.com/