Berisha dënon ekzekutimin e Ramiz Muçollarit nga RENEA: U bë në rrethana të dyshimta, përgëzimi i Ballës ishte cinik

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar në lidhje me vrasjen nga RENEA të 62-vjeçarit Ramiz Merko, i cili vuante nga problemet e shëndetit mendor dhe pas një “lufte” 8 orëshe me punonjësit e policisë për t’u dorëzuar sepse kishte goditur me thikë dhe sende të forta gruan dhe djalin, u ekzekutua.

Berisha shprehet se vrasja e Muçollarit duhej të shmangej, ndërsa ka hedhur dyshime mbi mënyrën si është kryer. Ai ka kërkuar nga Avokati i Popullit hetim.

Berisha gjithashtu ka komentuar dhe deklaratën e Ballës pas ekzekutimit, duke e cilësur përgazimin e policisë si deklaratë cinike dhe kriminale.

Reagimi i Berishës:

Vrasja e personit me probleme me shëndetin mendor duhej të shmangej. Taulant Bego etj… etj…, nxit vrasjet nga policia.

Të dashur miq, policia ekzekuton Ramiz Muçollarin në papafingon e shtëpisë së tij. Ajo flet për shkëmbim zjarrin në papafingo, pretendim jo bindës!

Muçollari i cili vuante nga shëndeti mendor kishte plagosur më parë gruan dhe djalin me thikë e sende të forta dhe sigurisht ai duhet të dorëzohej. Ai nuk mund të kërcënonte në asnjë rrethanë jetën e policëve. Por cinike dhe kriminale është përgëzimi i Ballës i policëve për vrasjen e tij. Ai plagosi, por nuk mori jetë njeriu. Duke ditur dhe problemet me shëndetin mendor të viktimës durimi më i madh në rrethim duhej treguar, para se të hynin në papafingo dhe të shkrehnin breshëritë mbi trupin e tij. Ju uroj shërim të shpejtë gruas dhe djalit të plagosur, dënoj ekzekutimin e tij në rrethana të dyshimta dhe dënoj fort, përgëzimin e Taulant Bego etj., etj., për vrasjen nga policia të një të sëmuri të strukur në papafingon e shtëpisë së tij. I bëj thirrje Avokatit të Popullit të nisë menjëherë hetimin për këtë vrasje të parandalueshme dhe ndaj Ballës ëe me përgëzimin e tij cinik ekstrem, inkurajon dhe nxit vrasjet nga policia.