Evropa po mëson të jetojë pa energjinë ruse

Nga Emily Schultheis “Foreign Policy”

Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe zyrtarë të tjerë të lartë shkuan fundjavën e kaluar në qytetin-port Wilhelmshaven në veri të vendit për të përuruar ndërtimin e terminalit të parë lundrues të Gjermanisë për importin e gazit natyror të lëngshëm (LNG).

Terminali, i pari nga 5 të tillë të planifikuar për t’u ngritur në portet e Detit të Veriut dhe Detit Baltik, është një pjesë e strategjisë së Gjermanisë për të mbijetuar jo vetëm këtë dimër, por edhe dimrat që do të vijnë pa importet e gazit rus, nga të cilat ajo dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian ishin bërë shumë të ndërvarura.

“Kjo është një ditë e bukur për vendin tonë, dhe një sinjal i mirë për të gjithë botën se ekonomia gjermane do të jetë në gjendje të vazhdojë të jetë e fortë, të prodhojë dhe të përballet me këtë sfidë. Kur thamë se një terminal i tillë duhet të ndërtohet këtu në Wilhelmshaven brenda vitit, shumë njerëz u shprehën se kjo gjë nuk ishte e mundur.

Në fakt, e kundërta është e vërtetë”- deklaroi tha Scholz. Që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës gati 10 muaj më parë, vendet evropiane si Gjermania e kanë pasur të vështirë të mësohen me idenë se si mund të jetohet pa energjinë ruse. Që në fillim, Kremlini synoi ta përdorë si një armë varësinë e Evropës ndaj energjisë së tij, për të nxitur mosmarrëveshje midis liderëve evropianë dhe për të dobësuar frontin e unifikuar të BE-së në mbështetjen e Ukrainës, raporton albeu.com

Ai ka dështuar në përgjithësi në këtë synim. Kur Rusia ndërpreu furnizimin me gaz të Evropës përmes gazsjellësit “Nord Stream 1” në shtator, udhëheqësit e BE-së paralajmëruan se kjo mund të çonte në një krizë të plotë energjetike në të gjithë bllokun.

Shumë vende të BE-së, përfshirë Gjermaninë, miratuan me shpejtësi disa masa për të reduktuar konsumin. Por tani që ka ardhur dimri, frika nga mungesa akute e energjisë është zbehur, të paktën tani për tani.

Rezervat e gazit janë pothuajse plot, dhe vendet po investojnë në paketa mbështetëse për të kompensuar çmimet më të larta të energjisë. Po ashtu udhëheqësit e BE-së kanë punuar për të zëvendësuar me shpejtësi importet ruse të energjisë me gaz dhe naftë nga vende të tjera, si dhe për të zgjeruar infrastrukturën e tyre të energjisë së rinovueshme.

“Nuk është gjë e vogël të ndryshosh kaq shpejt nga ajo nga e cila ke qenë i varur për dekada. Tani në fillim të dimrit Evropa është e relativisht e përgatitur sepse bëri përpjekje shumë të mëdha për t’u rifokusuar diku tjetër veç Rusisë”- thotë Ben Cahill, ekspert i energjisë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Por Cahill shton se dimri i ardhshëm do të jetë shumë më i ashpër, kryesisht sepse vendet e Bashkimit Evropian do të duhet të përgatiten me supozimin se duhet t’i plotësojë nevojat e veta për energji tërësisht pa Rusinë. Kjo përfshin rimbushjen e depozitimit të gazit verën e vitit që vjen pa ndonjë një fluks të madh të gazit të lirë rus.

“Sfida e madhe është ajo që do të ndodhë në vitet në vijim. Sepse gjërat do të bëhet më të vështira”- shton Cahill. Por kjo do të thotë se ky dimër do të jetë i lehtë. Zhvendosja e shpejtë e BE-së nga energjia ruse ka sjellë një kosto, si për familjet dhe kompanitë që po përpiqen t’i përshtaten rritjes së shpejtë të çmimeve të energjisë, ashtu edhe për vendet

që miratojnë paketa të kushtueshme shpëtimi për të ndihmuar konsumatorët dhe bizneset që të mbulojnë faturat e tyre më të larta, raporton albeu.com.

Dhe një dimër veçanërisht i ftohtë, mund të shkaktojë rritje të përdorimit të energjisë, duke i harxhuar më shpejt rezervat dhe duke e rikthyer ankthin për mungesat e mundshme. Për shembull, një javë veçanërisht e ftohtë në Gjermani këtë muaj, çoi në vetëm një rënie prej 5 për qind të përdorimit të energjisë krahasuar me vitet e fundit, dukshëm nën objektivin e vendit për një reduktim me 20 për qind të konsumit të energjisë. Klaus Mueller, kreu i agjencisë së rrjetit të Gjermanisë, paralajmëroi se një përdorim i tillë duhet “të mbetet në rrethana të jashtëzakonshme”.

“Ne kemi marrë masa të mira paraprake, por duhet të jemi vigjilentë”- theksoi ai. Por situata i ka detyruar liderët e BE-së dhe ata kombëtarë që të bashkëpunojnë sa më shpejt për të mbushur boshllëqet e lëna nga energjia Ruse. Ata janë vetëdijësuar mbi mënyrat se si po ndikon lufta, e cila një farë mënyre po ndihmon në qëllimet afatgjata të energjisë të BE-së.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian, kanë deklaruar se kjo ka ndikuar shumë që blloku të ecë me shpejtësi përpara drejt objektivave për energjinë e rinovueshme. Vendet që më parë hezitonin të merrnin pjesë në zgjerimin e burimeve të rinovueshme, më në fund po e bëjnë këtë, dhe ato që ishin tashmë pjesë e nismës po investojnë më shumë.

Prandaj si pjesë e paketës së saj REPowerEU, BE-ja ra dakord këtë javë që të rrisë objektivat e saj për energjinë e rinovueshme në 45 për qind deri në vitin 2030, nga një objektiv i mëparshëm prej 40 për qind. (BE e merr tani pak më shumë se 20 për qind të energjisë së saj totale nga burimet e rinovueshme).

Një raport i ri nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë sugjeron se bota mund të shtojë po aq energji të rinovueshme në 5 vitet e ardhshme sa ka bërë në 20 vitet e fundit. “Unë besoj se kjo luftë e tmerrshme e Rusisë kundër ukrainasve po ndryshon shumë gjëra, dhe ne do të bëhemi shumë më shpejt të pavarur nga karburantet fosile. Në periudhën afatshkurtër, ajo është padyshim një pengesë, por në atë afatmesme dhe afatgjatë, është padyshim një nxitje për energjinë e rinovueshme”- thotë Tiemo Wölken, anëtar i Parlamentit Evropian nga Socialdemokratët gjermanë.

Por nuk mund të prodhosh dot argjend pa nxjerrë pak skorje. Në përpjekje për të zëvendësuar naftën dhe gazin rus brenda një periudhe afatshkurtër, vende si Gjermania po riaktivizojnë disa termocentrale të vjetra me qymyr për të plotësuar mungesën e energjisë. Ndërkohë edhe disa vende të tjera, përfshirë Francën, Austrinë, Holandën dhe Italinë, po rihapin termocentralet e tyre me qymyr. Vendet e BE-së po negociojnë firmosjen e kontratave afatgjata për gazin me vende si Katari, për të cilat politikë-bërësit thanë se mund t’i garantojnë këtyre vendeve më shumë gaz sesa shpresojnë të kenë nevojë deri në vitin 2030, raporton albeu.com.

“Nëse në një moment të caktuar, do të nisim të llogarisim sa kontrata për blerje gazi kemi nënshkruar deri në vitin 2030, atëherë ndoshta do të kemi më shumë kontrata të tilla sesa  kishim deri dje me Rusinë. Ky do të jetë një problem për objektivat tona të neutralitetit ndaj klimës pas vitit 2030. Por kjo nuk duket se shqetëson për momentin politikë-bërësit tanë”-  thotë Bas Eickhout, nënkryetari i partisë GroenLinks në Parlamentin Evropian.

Sa i përket ndikimit të përgjithshëm që ka pasur lufta në synimet e BE-së për energjinë e pastër dhe mbrojtjen e klimës, Eickhout shtoi “E them sinqerisht, që ky synim është lënë fare pas dore!”. I gjithë ky debat ngre pyetjen se çfarë do të thotë për strategjinë e Kremlinit përpjekja e ndërlikuar por e bashkërenduar e Evropës për të kompensuar importet ruse të energjisë.

E sigurt është se mbështetja për Ukrainën mbetet e lartë. Një sondazh i Eurobarometrit i publikuar këtë muaj zbuloi se 74 për qind e të anketuarve të BE-së e miratojnë mbështetjen e bllokut për Ukrainën. Ka pasur disa protesta sporadike në një pjesë të vogël vendesh, dhe disa anëtarë rebelë si Hungaria, që kundërshtojnë ende distancimin nga energjia ruse, gjë që po  ngadalëson zbatimin e sanksioneve evropiane mbi energjinë ruse.

Por nëse presidenti rus Vladimir Putin shpresonte se ai mund ta përdorte energjinë si një armë për të dobësuar mbështetjen për Ukrainën dhe për ta përçarë Evropën, ai ka të ngjarë të zhgënjehet. Por nëse Moska nuk mund ta ngrijë Evropën deri në nënshtrim, çfarë mjetesh të tjera mund të përdorë ajo?

Cahill mendon se është shumë herët për të thënë se çfarë mund të thotë kjo për strategjinë në vazhdim të Rusisë, kryesisht sepse raundi tjetër i sanksioneve ndaj eksporteve ruse nuk do të  hyjë në fuqi deri në fillim të shkurtit 2023. Nëse Rusia hakmerret duke ndërprerë më tej furnizimet energjitike, atëherë kjo lëvizje do të ndëshkojë pikërisht vendet që i duhen më shumë, si Kina dhe Turqia. “Do të ishte si një vetëvrasje. Por  të gjitha gjërat janë të mundshme. Vladimir Putini nuk vepron gjithmonë në mënyra ekonomikisht racionale”- përfundon Cahill.

/albeu.com


Shtuar 23.12.2022 09:27