Zyrtare/ Qeveria zgjat me një vit koncesionin e markimit

Qeveria shqiptare ka zgjatur me një vit tjetër koncesionin e markimit të karburanteve. Në mbledhjen e kësaj të mërkure, Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e e një shtese që ndryshon kontratën e koncesionit “Për shërbimin e markimit dhe monitorimit të karburanteve, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë dhe bashkimit të përkohshëm të shoqërive “Global Fluids  International”S.A.  dhe  “Petroleum Consulting Partners”A.G”.

Shtesa ndryshon vetëm një nen në kontratën ekzistuese të koncesionit, atë të afatit duke e bërë kohëzgjatjen e koncesionit nga 10 vjet që ishte në 11 vjet. Si rezultat, me vendimin e sotëm qeveria i ka dhënë dhe një vit shtesë pa garë kompanisë koncesionare të markimit, që do të thotë minimalisht 1.4 milionë euro fitim neto për kompaninë dhe mbi 4 milionë euro kosto që do të paguajnë qytetarët në cmimin e naftës. Tashmë me afatin e ri, koncesioni i markimit përfundon në gusht të vitit të ardhshëm.

Nuk dihet nëse mbledhja e qeverisë është mbajtur me praninë fizike të ministrave apo zgjatja e koncesionit është miratuar me vendim qarkullues. Data 9 gusht ishte dita e fundit e koncesionit të nënshkruar në vitin 2013 nga ish qeveria e Partisë Demokratike.

Kjo e ka detyruar qeverinë dhe ministrat e saj që të prishin pushimet e tyre dhe të miratojnë vendimin për zgjatjen e afatit të koncesionit edhe me një vit. Në fakt zgjatjet e koncesioneve të dhëna nga ish qeveria e Partisë Demokratike po bëhën një praktikë e shpeshtë për qeverinë e Edi Ramës. Më parë, me të njëjtin mekanizëm u zgjat me dy vjet edhe koncesioni i pullave fiskale.

Zgjatja me 1 vit e koncesionit të markimit u paralajmërua nga Oligarkia.al dy ditë më parë. Megjithatë zgjatja me një vit duket si një taktikë e qeverisë për të fituar kohë, pasi burime konfidenciale bëjnë të ditur se edhe në përfundim të afatit 1 vjeçar gjasat janë që koncesioni të zgjatet sërish.


Shtuar 9.08.2023 22:04