“Jam mbrojtësi më i madh i ‘çunave të Londrës’”, Rama i përgjigjet Metës: Nuk ka cipë

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur deklaratave të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili tha një ditë më parë se sulmet e tij ndaj autoriteteve britanike nuk i ndihmojnë pozitat e qytetarëve shqiptarë në ishull.

Rama tha nga Lushnja se shqiptarët nuk kanë arsye të ndihen inferior kur ulen në tryezë me të tjerët, ndërsa theksoi se nëse ka mungesë dakordësie me emigrantët shqiptarë në Angli, në debatet në rrjetet sociale, ai sërish i mbron ata përballë qeverive të huaja.

“Ilir Meta del dhe mbron atë ministren britanike, i mbron nga unë. Është nuk e di. Është një lloj faqezezëllëku që i shoqëron shqiptarët që nga viti 1912, është një kategori shqiptarësh që nuk i ndahen këtij vendi si mallkim. Nuk kanë asnjë lloj cipe. Iliri ka shumë arsye. I ikën mendja e kokës dhe janë në gjendje të bëjnë gjëra nga më të hatashme. Kur vjen puna tek Shqipëria dhe shqiptarët, ne duhet të jemi një. S’kemi arsye pse të jemi të ndarë, fare. Ne jemi një vend i vogël. Kjo është fatkeqësia, fatmirësia se jemi një vend i vogël. Nuk kemi arsye në botë që kur të ulemi në tryezë me të tjerët, të jemi inferior.

Kur vjen puna tek shqiptarët jashtë, nuk duhet ta zgjidhim në gjuhë të huaj, pse ikin ata. Vëllezërit tanë nuk preken, këtë duhet të themi në gjuhë të huaj. Sa ka në Londër, çuna që nuk e shohin dot me sy PS-në, sa ka komentatorë në Facebookun tim, nuk lënë asgjë pa thënë. Unë në anglisht jam mbrojtësi i tyre më i madh. Përpara çdo gjëje tjetër, është Shqipëria”, tha Rama.