Çfarë po ndodh realisht midis Rusisë dhe Kinës

Nga Alexander Gabuev “Foreign Affairs

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

“Aktualisht po ndodhin disa ndryshime, të cilat nuk i kemi parë prej 100 vjetësh”- i tha udhëheqësi kinez Xi Jinping presidentit rus Vladimir Putin muajin e kaluar në fund të një vizite shtetërore në Rusi. “Le t’i drejtojmë ato ndryshime së bashku”- shtoi Xi. Ndërkohë udhëheqësi rus u përgjigj shkurt: “Jam dakord!”.

Kjo skenë në dukje e improvizuar por në fakt e koreografuar me shumë kujdes, ishte thelbi i rezultatit të vizitës së Xi Jinping në Rusi, dhe trajektoren në të cilën ai dhe Putin i kanë vendosur marrëdhëniet kinezo-ruse. Vizita e Xi muajin e kaluar ishte para së gjithash një dëshmi e mbështetjes publike për udhëheqësin rus, që ndodhet në vështirësi serioze për shkak të luftës që ka nisur kundër Ukrainës.

Por zhvillimet më të rëndësishme ndodhën gjatë diskutimeve me dyer të mbyllura, në të cilat Xi dhe Putin morën një sërë vendimesh të rëndësishme për të ardhmen e bashkëpunimit ruso-kinez në fushën e mbrojtjes, dhe me shumë gjasa ranë dakord për marrëveshjet e armëve që ata mund t’i bëjnë ose jo publike.

Lufta në Ukrainë dhe sanksionet pasuese të Perëndimit ndaj Rusisë, po i reduktojnë opsionet e Kremlinit, dhe po e çojnë në nivele të paprecedenta varësinë ekonomike dhe teknologjike të Rusisë nga Kina. Këto ndryshime i japin Kinës një ndikim në rritje mbi Rusinë.

Njëkohësisht, marrëdhënia e prishur e Kinës me Shtetet e Bashkuara e bën Moskën një partner të vogël të domosdoshëm të Pekinit në kundërvënien ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj. Dhe në fakt Kina nuk ka ndonjë mik tjetër me peshë për ta pasur në krah. Dhe ndërsa Xi po e përgatit Kinën për një periudhë përplasjeje të gjatë me vendin më të fuqishëm në planet, ai ka nevojë për të gjithë ndihmën që mund të marrë.

Figurat më të larta në Partinë Komuniste Kineze (PKK), kanë folur hapur mbi nevojën e një partneriteti më të ngushtë me Rusinë, për shkak të asaj që ata e perceptojnë si një politikë gjithnjë e më armiqësore të SHBA-së, e cila synon të frenojë ngritjen e Kinës në skenën globale.

Ministri i Jashtëm kinez, Qin Gang, deklaroi për median shtetërore kineze pas kthimit nga Rusia, se partneriteti i Pekinit me Moskën është shumë i rëndësishëm në një kohë kur disa forca po mbrojnë “hegjemonizmin, unilateralizmin dhe proteksionizmin”, dhe po drejtohen ende nga “mentaliteti i Luftës së Ftohtë”.

Fraza e fundit është shprehja e koduar e PKK për politikën amerikane ndaj Kinës. Vendosja e këtij arsyetimi në krye është shumë domethënës, dhe shpjegon arsyen përse Xi vendosi të shkonte të takohej personalisht me Putinin, pavarësisht kontekstit të pafavorshëm të kësaj vizite që po ndodhte menjëherë pasi Gjykata Penale Ndërkombëtare kishte lëshuar një urdhër arresti për liderin rus.

Mesazhi i udhëtimit të Xi në Moskë ishte i qartë: Kina sheh shumë përfitime në marrëdhëniet e saj me Rusinë, ajo do të vazhdojë t’i ruajë ato lidhje në nivelin më të lartë, dhe nuk do të frenohet aspak nga kritikët perëndimorë.

Për të shmangur kritikat në rritje të SHBA-së dhe Evropës mbi mbështetjen e Kinës ndaj Rusisë, Pekini u shfaq në publik me një skemë diplomatike të përpunuar. Ai paraqiti një dokument mbi krizën ukrainase pikërisht më 24 shkurt, në përvjetorin e parë të pushtimit rus të Ukrainës.

Në fakt dokumenti nuk është asgjë më shumë sesa një përmbledhje e të gjitha qëndrimeve që Pekini i ka shprehur gjatë gjithë luftës, përfshirë respektimin e integritetit territorial të shteteve dhe kundërshtimin ndaj sanksioneve të njëanshme. Mungesa e detajeve specifike të propozimit mbi çështjet thelbësore, si kufijtë dhe përgjegjësia për krimet e luftës, është një veçori, dhe jo një defekt.

Pekini është plotësisht i vetëdijshëm se as Kievi dhe as Moska, nuk kanë shumë interes për të biseduar për momentin, pasi që të dyja duan të vazhdojnë të luftojnë për të forcuar pozitat e tyre para se të ulen në tryezën e negociatave. Propozimi kinez ishte pak më shumë se sa një justifikim për vizitën e Xi në Moskë.

Aksioni i vërtetë ndodhi në prapaskenë, gjatë negociatave private mes Putinit dhe Xi. Në përfundim të vizitës, Kremlini publikoi një listë me 14 dokumente të nënshkruara nga Kina dhe Rusia, duke përfshirë dy deklarata nga Xi dhe Putin.

Në pamje të parë, ato ishin kryesisht memorandume të parëndësishme ndërmjet ministrive; dhe nuk u njoftuan marrëveshje të reja të rëndësishme. Megjithatë, një analizë më e imtësishme zbulon një panoramë shumë të ndryshme, atë që Pekini dhe Moska kanë arsye t’ia fshehin botës.

Duke u distancuar dukshëm nga praktika e tij e zakonshme, Kremlini nuk publikoi listën e zyrtarëve dhe drejtuesve të lartë të biznesit të pranishëm në ato bisedime. Emrat e tyre mund të dallohen vetëm duke parë pamjet dhe fotot nga samiti, si dhe duke lexuar në komentet e bëra për mediat e Kremlinit nga Yuri Ushakov, ndihmësi i Putinit për politikën e jashtme.

Dhe nga një analizë me e detajuar zbulohet se më shumë se gjysma e ekipit të Putinit që mori pjesë në raundin e parë të bisedimeve zyrtare me Xi, ishin zyrtarë të përfshirë drejtpërdrejt në prodhimin e armëve dhe programet hapësinore të Rusisë. Lista përfshin ish-presidentin Dmitry Medvedev, i cili tani është zëvendës i Putinit në komisionin presidencial për kompleksin ushtarako-industrial; Ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu; Dmitry Shugaev, që  drejton shërbimin federal për bashkëpunimin ushtarako-teknik; Yury Borisov, që drejton agjencinë ruse të hapësirës, dhe që deri në vitin 2020 kishte kaluar një dekadë në krye të industrisë ruse të armëve si zëvendësministër i mbrojtjes dhe zëvendëskryeministër; si dhe Dmitry Chernyshenko, zëvendëskryeministër që kryeson një komision ndërqeveritar dypalësh ruso-kinez, dhe që është përgjegjës për shkencën dhe teknologjinë në kabinetin rus.

Ky grup zyrtarësh ka të ngjarë të ishte mbledhur për një qëllim kryesor: thellimin e bashkëpunimit të mbrojtjes me Kinën. Edhe pse Kina ka një ndikim të madh në Kremlin, ajo nuk ushtron kontroll ndaj tij. Edhe pse Pekini dhe Moska nuk kanë bërë publike ndonjë marrëveshje të re, ekzistojnë të gjitha arsyet për të besuar se ekipet e Xi dhe Putin e përdorën takimin e muajit mars për të arritur marrëveshje mbi marrëveshjet e reja në fushën e mbrojtjes.

Pas samiteve të mëparshme Xi-Putin, liderët kanë nënshkruar privatisht dokumente në lidhje me marrëveshjet e armëve, dhe vetëm më vonë e kanë informuar botën. Për shembull në shtatorin 2014, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, Kremlini i shiti Kinës sistemin e tij raketor tokë-ajër S-400, duke e bërë Pekinin blerësin e parë të huaj të pajisjeve më të avancuara të mbrojtjes ajrore të Rusisë.

Marrëveshja u zbulua vetëm 8 muaj më vonë, dhe jo nga Kremlini por gjatë një interviste që dha për gazetën ruse Kommersant, Anatoli Isaykin, kreu i kompanisë Rosoboronexport, prodhuesja kryesore e armëve në Rusi. Pasi Kongresi Amerikan miratoi në vitin 2017 Aktin për Kundërvënien ndaj Kundërshtarëve të Amerikës përmes Sanksioneve, Moska dhe Pekini pezulluan tërësisht publikimin e kontratave të tyre ushtarake.

Gjithsesi ligji amerikan çoi në sanksionimin e departamentit të armatimeve të ushtrisë kineze dhe kreut të saj, gjeneralit Li Shangfu (i cili u emërua muajin e kaluar si Ministri i ri i Mbrojtjes në Kinë). Gjithsesi në raste të rralla, Putin mburret vetë me marrëveshjet të reja.

Siç ndodhi për shembull në vitin 2019, kur ai njoftoi se Moska po ndihmonte Pekinin në zhvillimin e një sistemi të paralajmërimit të hershëm të lëshimit të raketave. Apo në vitin 2021, kur ai zbuloi se Rusia dhe Kina po zhvillonin së bashku armët e teknologjisë më të fundit.

Kina është mbështetur tek pajisjet ushtarake ruse që nga vitet 1990, dhe Moska ka qenë burimi i saj i vetëm i armëve moderne të huaja pas embargos së armëve të vendosura nga BE dhe Shtetet e Bashkuara pas masakrës në Sheshin Tiananmen të vitit 1989. Me kalimin e kohës, ndërsa industria ushtarake e Kinës po përparonte, mbështetja e saj tek të tjerët u zvogëlua.

Tani Pekini është i aftë të prodhojë vetë armë moderne, dhe ka një epërsi të qartë ndaj Rusisë në shumë fusha të teknologjisë moderne ushtarake, përfshirë dronët. Por për të nxitur kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e vet, Pekini e lakmon ende qasje në teknologjinë ruse për ta përdorur tek raketat tokë-ajër, motorët për avionë luftarakë dhe pajisjet luftarake nënujore si nëndetëset dhe dronët zhytës.

Një dekadë më parë, Kremlini hezitonte t’i shiste Kinës teknologjitë ushtarake më moderne. Moska ishte e shqetësuar se kinezët mund ta ndryshonin teknologjinë, dhe të kuptonin se si ta prodhonin vetë. Po ashtu, Rusia kishte shqetësime më të gjera për armatosjen e një vendi të fuqishëm që kufizohet me rajonet ruse pak të populluara por dhe të pasura me burime në Siberi dhe Lindjen e Largët.

Por thellimi i përçarjes midis Rusisë dhe Perëndimit pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014 ndryshoi llogaritë. Dhe pas nisjes së një lufte në shkallë të plotë në Ukrainë dhe nxitjes së prishjes së plotë të lidhjeve me Perëndimin, Moska nuk ka zgjidhje tjetër veçse t’i shesë Kinës teknologjitë e saj më të avancuara dhe më të çmuara.

Marrëdhëniet kinezo-ruse janë bërë shumë asimetrike, por nuk janë të njëanshme. Pekini ka ende nevojë për Moskën, dhe në këtë epokë të konkurrencës strategjike midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, Kremlini mund të sigurojë disa asete unike. Një marrëdhënie disi e ngjashme ekziston midis Kinës dhe Koresë së Veriut.

Pavarësisht varësisë së madhe të Phenianit nga Pekini, dhe armiqësisë së përbashkët ndaj Shteteve të Bashkuara, Kina nuk mund ta kontrollojë plotësisht regjimin e Kim Jong Un dhe duhet të sillet me kujdes për ta mbajtur afër Korenë e Veriut. Rusia e njeh shumë mirë këtë lloj marrëdhënie, pasi ajo mban një marrëdhënie të ngjashme me Bjellorusinë, në

të cilën Moska është partneri kryesor që mund të ushtrojë presion dhe t’i imponohet Minskut.

Por ajo nuk mund ta diktojë të gjithë politikën bjelloruse. Madhësia dhe fuqia e Rusisë mund t’i japin Kremlinit një ndjenjë të rreme sigurie, pasi po futet në një marrëdhënie asimetrike me Pekinin. Por në mungesë të ndërprerjeve të mëdha të paparashikueshme, qëndrueshmëria e kësaj marrëdhënieje, do të varet nga aftësia e Kinës për të menaxhuar një Rusi të dobësuar. /albeu.com

Shënim:Alexander Gabuev, drejtor i think-tankut “Carnegie Russia Eurasia Center”.


Shtuar 13.04.2023 11:09

Tags: ,