U vranë dhjetëra ukrainas, aktori dhe miku i Putinit fotografohet në burgun famëkeq rus

Aktori i njohur dhe mbështetësi i zjarrtë i liderit rus, Steven Seagal, është fotografuar në një kamp burgu të kontrolluar nga Rusia, ku të paktën 50 të burgosur ukrainas u vranë muajin e kaluar.

Aktori u pa duke inspektuar qendrën e paraburgimit Olenivka në imazhet e shpërndara në shërbimin e mesazheve Telegram.

Burgu ishte vendi i një shpërthimi misterioz më 29 korrik, i cili vrau shumë të burgosur ukrainas, duke përfshirë ushtarë që u ishin dorëzuar forcave ruse në maj në fabrikën e rrethuar të çelikut Azovstal në Mariupol. Qeveria ukrainase ka akuzuar Moskën për kryerjen e një masakre ndaj të burgosurve dhe OKB-ja ka ngritur një grup për të mbledhur fakte për të hetuar mizorinë.

Zyrtarët ukrainas thanë se të burgosurit u zhvendosën qëllimisht në kamp përpara një sulmi, por Rusia është kundërpërgjigjur duke thënë se forcat ukrainase ishin përgjegjëse për shpërthimin dhe se ata përdorën një raketë të furnizuar nga SHBA.

Megjithatë, ekspertët e konsultuar nga The Washington Post thanë se provat e disponueshme nuk mbështesin pretendimin se shpërthimi ishte shkaktuar nga Himars (sistemi i raketave artilerie me lëvizshmëri të lartë).

Rusia deri më tani ka ndaluar hetuesit e pavarur të hyjnë në vend dhe të mbledhin fakte./albeu.