VIDEO/ U mbyt në kanionet e Osumit, gjendet pas tre ditësh trupi i turistit holandez

Tre ditë më parë, një shtetas holandez i cili ishte futur për të notuar në kanionet e lumit Osum u mor nga rrjedha e ujit.

Kërkimet e pandërprera nga polumbarët e RENEA-s, të ndihmuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar, bëjnë të mundur gjetjen e trupit të pajetë të shtetasit holandez pas tre ditësh.

Së bashku me të ishte dhe bashkëshortja, e cila arriti të shpëtonte.

“Më datë 08.05.2023, shkoi në spitalin e Çorovodës, për ndihmë mjekësore, shtetasja holandeze H. (V. A.) C. S., 64 vjeçe, e cila deklaroi se së bashku me bashkëshortin e saj, shtetasin J. A. S., 68 vjeç, ishin futur për të notuar në kanionet e lumit Osum. 64-vjeçarja kishte mundur të dalë nga uji, ndërsa shprehej se bashkëshortin e saj e kishte marrë rrjedha e ujit”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.

Pas 3 ditësh kërkime të pandërprera në rrjedhën e lumit Osum, ekipi i specializuar i polumbarëve të RENEA-s kanë bërë të mundur gjetjen e trupit të pajetë të 68-vjeçarit, në njërin nga kanionet e këtij lumi.

Në kërkime u angazhuan edhe 2 pjesëtarë të federatës “Albania Rafting Group”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje./Albeu.com.


Shtuar 11.05.2023 17:25