Drejtori i Portit të Durrësit punëson djalin e tezes Drejtor Operacional, kushërinjtë dhe drejtues të kompanisë shtetërore të kullave “Alabbar”

Drejtori i Portit Durrës, Pirro Vengu, ka marrë në stafin drejtues, djalin e tezes, Andrea Shllaku.

Tashmë dy djem tezesh drejtojnë veprimtarinë financiare, administrative dhe të sigurisë në Portin Detar.

Kjo, jo vetëm bie ndesh me ligjin për administrimin e kompanive shtetërore, por është shkelje e Protokollit të NATO-s, që ndalon drejtues nga një familje, në drejtimin e sektorëve strategjikë portual detar e ajror të sigurisë kombëtare, rajonale e ndërkombëtare.

Andrea Shllaku është emëruar Drejtor Operacional i Portit Durrës, më 13 janar 2023, ndërsa nga muaji nëntor 2019, ai ishte Drejtor i Shtabit Menaxherial të Portit, emëruar 1 muaj pasi Drejtor i Portit u emërua djali i tezez së tij, Pirro Vengu.

Drejtori Pirro Vengu, ka në dorë informacionet sekrete, administratën, emërimet, shkarkimet, kontratat koncesionare, terminalet, financat, tenderët, hyrje-daljet në Portin Detar; ndërsa djali i tezes së tij planifikon, organizon dhe drejton gjithë operacionet brenda Portit të Durrësit.

Këto, ka detyrë t’ia raportojë fillimisht djalit te tezes Drejtor Porti, ndërsa më pas doganës, policisë kufitare, policisë ushtarake, Policisë së Rendit e Drejtorisë së Përgjithshme të Anti-Krimit, madje ka në mbikëqyrje dhe Forcën e Sigurisë të Portit Detar.

Përeç se me detyrë drejtues kyç të Portit Detar Durrës, dy kushërinjtë janë dhe drejtues të kompanisë shtetërore “Albanian Seaports Development Company”, e cila ka në dorë kompleksin e kullave që do ndërtojë Alabbar në Durrës.

Në këtë firmë, që është në pronësi të Portit Detar, drejtori Pirro Vengu është Administrator i Përgjithshëm e Anëtar Bordi; djali i tezes së tij, Andrea Shllaku është Kryetar Bordi, ndërsa administrator është Erlis Hereni, këshilltar i Belinda Ballukut.