Shqiptarët në Britaninë e Madhe/ “The Sun” vjen në familjen shqiptare: Djali në Angli u ndërtoi shtëpinë madhështore

Titujt e mediave britanike për emigrantët shqiptarë që hyjnë nga Franca me gomone drejt Britanisë së Madhe janë rutinë në këtë periudhë.

Jehona u shtua gjatë fushatës së reklamimit të udhëtimeve të paligjshme në Tik Tok. Duke përfituar nga kriza politike, trafikantët menduan se vigjilenca kishte rënë dhe ulën menjëherë çmimet e udhëtimit nga Calais.

Shqiptarët që hyjnë me gomone nga Franca përbëjnë 60% të atyre që kalojnë Kanalin çdo ditë.

Bëhet fjalë për rreth 12 mijë shqiptarë, prej të cilëve 10 mijë ishin të pamartuar, për vitin 2022. Në vitin 2020 ishin regjistruar vetëm 50 të tillë.

The Sun ka vizituar një familje shqiptare në veri të vendit, me prindërit e moshuar që kanë tre fëmijët e tyre në emigracion.

Djali më i vogël i familjes prej disa vitesh ndodhet në Angli, ndërsa prindërit rrëfejnë se me paratë e dërguar nga fëmijët “kanë ndërtuar shtëpinë e ëndrrave në vendin e tyre”, gjë të cilën nuk do ta kishin arritur nëse djemtë dhe ata së bashku do të kishin punuar në Shqipëri.

Seit Shabaj dhe gruaja e tij Xheride thonë së një pjesë e shtëpisë ka mbetur e pa përfunduar, pasi punëtorët janë larguar në Angli, për një rrogë më të mirë. Elektricisti në pension tha se është një problem i madh sepse tani kanë mbetur vetëm të moshuar.

“Të gjithë të rinjtë dhe të rejat kanë shkuar për punë. Kjo do të thotë që unë nuk mund të gjej një ndërtues për të përfunduar njërin mur të shtëpisë”, tregon ai.

Teksa qëron portokallet e mbledhura nga pemëtorja e tij, ai pranon se kishte vetëm një mënyrë për të mbledhur 100,000 paund që duheshin për të ndërtuar pronën e tij madhështore.

Ai tha: “Anglia është vendi më i mirë në këtë tokë. Është kampion i destinacioneve.

Gjithmonë është konsideruar si vendi më i mirë për të shkuar. Në çdo vend tjetër në Evropë, pagat janë më të ulëta se në Angli. Në Shqipëri mund të fitosh 30 £ në ditë. Në Angli është 150 £ në ditë. Kur njerëzit shkojnë në Angli, ata gjejnë një punë dhe më pas i ndihmojnë njerëzit këtu për të ndërtuar shtëpi siç kemi bërë ne” tha ai.

Po ashtu, i moshuari tregoi edhe rrugën që ndjekin të rinjtë shqiptarë për të shkuar në Angli.

“Shkojnë në Belgjikë ose Francë, qëndrojnë atje për disa javë dhe më pas paguajnë nga 5,000 deri në 20,000 £ për të hipur në një kamion për të shkuar në Angli përmes tunelit. Kjo mund të tingëllojë si shumë para dhe shpenzim, por ia vlen sepse Shqipëria është e falimentuar”, tregon elektriçisti.

“Gjithçka është shkatërruar në këtë vend, kështu që të rinjtë i marrin paratë hua dhe e dinë se për katër apo pesë vjet do t’i kenë shlyer”, u shpreh ai.

Djali i tij, Nimeti ndoqi atë rrugë të paligjshme shtatë vjet më parë. Më vonë ai u martua me një grua në Angli, duke i dhënë të drejtën për të jetuar në Mbretërinë e Bashkuar.

Ai punon në ndërtim dhe vazhdon të dërgojë para në shtëpi, ashtu si vëllezërit e tij më të mëdhenj që punojnë si ndërtues në Greqi dhe Itali.

Edhe bariu i dhive, Jetmir Hyseni, 50 vjeç, një nga të paktët që kanë mbetur në fshat, tha: “Nëse dikush më ofronte mundësinë, do të shkoja sot. Mund të fitoja 50 £ në ditë ose më shumë duke punuar në Angli. Këtu fitoj 2 £ në ditë”.

49-vjeçari Dashamir Plangaj është edhe më keq. Ai fiton 1 £ në ditë duke përdorur kalin e tij për të ndihmuar fqinjët të transportojnë sende ose të zhvendosin objekte të rënda.

Por ai dhe gruaja Lavdija, 51 vjeç, që të dy jetonin në një hambar guri të shkatërruar, ndërsa tani banojnë në një shtëpi të ndërtuar për ta nga fqinjët zemërgjerë, duke përdorur paratë e dërguara në shtëpi nga djemtë që punojnë në Europë dhe Britani.

Çifti i vuajtur shpreson që dy djemtë e tyre një ditë ta ndjekin shembullin e fqinjëve.

Lavdija tha: “Ata punojnë në pyje duke prerë dru, por ne do të donim që ata të transferoheshin në Angli. Gjithçka është më mirë në Angli”.

Sait Shabaj pranon se rritja e qyteteve fantazmë të Shqipërisë është një shqetësim dhe tha:

“Ne e dimë se në Angli nuk janë të kënaqur me shumë emigrantë nga Shqipëria. Por ne kemi dëgjuar se Anglia ka nevojë për punëtorë dhe shqiptarët janë punëtorë shumë të mirë.

Përpara se të kishim këtë shtëpi, jetonim në një ndërtesë guri me një dhomë gjumi. Nëse do të kisha pasur mundësinë kur isha më i ri të shkoja në Angli, do të kisha shkuar”.