Si rrodhi skandali i puthjes së Luis Rubiales në Kupën e Botës?

Luis Rubiales, presidenti i Federatës së Futbollit të Spanjës (FFS), ka shkaktuar zemërim të madh duke e puthur mesfushoren Jenni Hermoso gjatë ceremonisë së trofeut të Kupës së Botës për gratë.

Kush është ai?

Rubiales, 46 vjeç, ishte mbrojtës i disa klubeve të kategorisë së ulët të Spanjës dhe i klubit Hamilton Academical në Skoci deri në vitin 2009. Ai u bë president i Shoqatës së Futbollistëve Spanjoll (SHFS) një vit më vonë, para se të zgjidhej president i FFS-së më 2018.

Ai u zotua se do ta modernizonte strukturën e saj, do t’i rriste të hyrat dhe do ta përmirësonte transparencën, pas një skandali të korrupsionit. Rubiales e shkarkoi trajnerin e Spanjës, Julen Lopetegui, vetëm dy ditë para Kupës së Botës 2018 në Rusi, për shkak se trajneri spanjoll kishte arritur marrëveshje për parakontratë me Real Madridin, të cilit do t’i bashkohej pas turneut të verës.

Vitin e kaluar, një numër i madh i futbollisteve të ekipit kombëtar të grave të Spanjës u rebeluan kundër trajnerit të tyre, Jorde Vilda. FFS e mbështeti Vildan, i cili i përjashtoi 12 prej 15 futbollisteve të përfshira nga ekipi me të cilin shkoi dhe e fitoi Kupën e Botës 2023 në Australi.

Çfarë bëri Rubiales?

Kur gjyqtari i fryu bilbilit në Australi më 20 gusht dhe Spanja e mposhti 1:0 Anglinë, Rubiales festoi duke i kapur organet gjenitale derisa ishte pranë Mbretëreshës së Spanjës, Letizia dhe princeshës 16-vjeçare, Sofia.

Kur ia ndalu medaljen Hermosos, ai e mbajti për koke futbollisten dhe e puthi në buzë.

Reagimi i parë i Hermosos ishte kur ajo u tha shoqeve të ekipit: “Hej, nuk më pëlqeu”, sipas pamjeve të publikuara nga dhoma e zhveshjes. Të nesërmen, federata e citoi atë gjoja ta ketë minimizuar këtë incident, por ajo e mohoi se kishte të bënte me ato deklarata dhe më pas shpjegoi se nuk ishte pajtuar për puthjen dhe se ishte viktimë e seksizmit. Rubiales, së pari, i quajti kritikët “idiotë” dhe pastaj kërkoi falje.

“Natyrisht, gabova, më duhet ta pranoj”, tha ai në një video. “E bëra pa qëllim të keq në një kohë të euforisë maksimale”.

Çfarë kanë bërë autoritetet?

Shtëpia e futbollit botëror, FIFA, nisi procedurë disiplinore ndaj Rubiales dhe më 26 gusht e pezulloi atë nga të gjitha aktivitetet e futbollit për 90 ditë. Ai nuk pranoi të japë dorëheqje.

“Një puthje me nxitim por me pajtueshmëri mjafton për të më larguar mua nga këtu? Do të luftoj deri në fund”, tha Rubiales në federatë, duke u duartrokitur nga shumë, përfshirë nga trajneri Vilda. Që nga ai takim, përfaqësuesit rajonal të FFS-së kanë kërkuar dorëheqjen e tij.

Cilat kanë qenë reagimet?

Veprimet e Rubiales në ditën e finales së Kupës së Botës, dhe moskokëçarja pastaj, kanë nxitur një mal me kritika në Spanjë dhe vendet e tjera, por edhe kritikat nga disa qarqe kundër feminizmit.

Qeveria socialiste e Spanjës mori qëndrim të fortë: zëvendëskryeministrja, Yolanda Diaz, e cilësoi puthjen si “sulm”, derisa ministrja në detyrë për Barazi, Irene Montero, tha për Reuters: “Ne jemi duke ia dërguar botës mesazhin e saktë, që seksizmi ka marrë fund”.

Brenda futbollit, shumë figura e kanë dënuar veprimin e Rubiales, përfshirë personalitete të larta burra, siç është trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez. Një grup prej 81 profesionistëve, përfshirë tërë skuadrën fituese të Kupës së Botës, thanë se nuk do të luajnë për ekipin kombëtar nën lidershipin e tanishëm.

Në mbështetje të Rubiales, nëna e tij Angeles Bejar, e nisi një grevë urie brenda një kishe në vendlindjen e tyre, Motril, më 28 gusht, duke e dënuar “përndjekjen çnjerëzore” kundër të birit të saj.

Çfarë ndodh tutje?

Rubiales përballet me të paktën tri sfida ligjore dhe administrative, sipas të cilave ai rrezikon shkarkimin, diskualifikimin e madje edhe burgun. Përveç hetimit disiplinor të FIFA-s, prokurori i Gjykatës së Lartë të Spanjës planifikon ta kontaktojë Hermoson për një padi të mundshme penale për agresion seksual, dhe Këshilli Kombëtar i Sportit i ka kërkuar Gjykatës Administrative të Sportit ta rishikojë rastin.

Rubiales, i cili tha se është viktimë e një fushate nga “feministët e rremë”, dhe FFS-së, ka theksuar se do të ndërmarrë veprime ligjore për ta dëshmuar pafajësinë e tij.