Shpërthim në një restorant në Turqi, humbin jetën 7 persona

Shtatë persona kanë humbur jetën në një shpërthim që ndodhi në Aydin të Turqisë, siç raporton kanali televiziv TRT Haber, duke cituar autoritetet lokale.

“Guvernatori i Aydinit, Husein Aksoy deklaroi se 7 persona kanë humbur jetën, sipas të dhënave paraprake, si pasojë e një shpërthimi që ka ndodhur në një restorant në lagjen Nazili ”, raportojnë mediat turke.

Nga informacionet paraprake, 4 nga personat që humbën jetën nga shpërthimi ishin gra dhe 3 fëmijë.

Gjithashtu, sipas të dhënave paraprake, pesë persona kanë mbetur të plagosur, njëri prej tyre në gjendje të rëndë.

Punëtorët kanë raportuar se kanë ndjerë një erë të çuditshme, pak para shpërthimit, i cili ka ndodhur në një tub të instalimit të LPG-së në restorant, teksa po kontrollohej.

Aydini është një qytet në Turqinë perëndimore, kryeqyteti i rajonit homonim të vendit.


Shtuar 30.12.2022 15:38