Pse janë kaq vendimtare zgjedhjet presidenciale në Turqi?

Nga Futura D’Aprile “Linkiesta

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Zgjedhjet presidenciale të 14 majit në Turqi, do të jenë një moment vendimtar në historinë e këtij vendi. Ky proces do të përkojë me 100-vjetorin e lindjes së Republikës dhe mund të shënojnë fundin e sundimit të presidentit Recep Tayyip Erdogan, që është në pushtet që nga viti 2002, dhe që është shndërruar në “babain” e Turqisë së sotme.

Një Turqi më autoritare, më konservatore dhe me një politikë të jashtme më agresive. Vendin e Erdogan mund ta zërë së shpejti Kemal Kılıçdaroğlu, kreu i partisë republikane CHP, i frymëzuar nga Kemalistët dhe kreu i “Tryezës së të Gjashtëve”, një koalicion prej gjashtë partish të ndryshme të bashkuara kundër një armiku të përbashkët.

Megjithatë, rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk është i rëndësishëm vetëm për Turqinë. Vendi është kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, është anëtar i NATO-s, ka marrë rolin e ndërmjetësit në Luftën në Ukrainë, dhe luan rolin e një barrikade për frenimin e flukseve migratore të drejtuara drejt kontinentit të vjetër.

Po ashtu, ajo ka një pozicion strategjik gjeografik që i intereson edhe shteteve të tjera, përfshirë Italinë. Por çfarë ndryshimesh duhet të presim nëse fiton opozita? Çfarë do të ndodhte nëse do të fitojë sërish Erdogan?

Evropa, emigrantët dhe Siria

Negociatat e para për anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian filluan në vitin 2005, kur Erdogan mbante rolin e kryeministrit. Por 18 vjet më vonë Ankaraja është larg arritjes së këtij rezultati. Nën qeverinë e Erdogan, që ndërkohë është president prej disa vitesh, Turqia është transformuar në një vend gjithnjë e më autoritar dhe më pak respektues i të drejtave të njeriut, duke i kompromentuar më tej shanset për t’iu bashkuar BE-së.

Nëse ai do të rikonfirmohej për një mandat tjetër, do të jetë e vështirë të pritet një ndryshim i ritmit drejt Brukselit, që shpeshherë shihet aktualisht nga Ankaraja më shumë si një armik sesa si një aleat i mundshëm në nivel ndërkombëtar. Ndërkohë, qasja që synon të adoptojë Kilıçdaroğlu ndaj unionit është e ndryshme.

Kreu i opozitës ka premtuar se do të rinisë negociatat e anëtarësimit, duke ndërhyrë në favor të një ekuilibri më të mirë të pushteteve, për të garantuar respektimin e lirisë së shprehjes dhe të drejtave të njeriut si dhe pavarësinë e gjyqësorit. Po ashtu Kılıçdaroğlu planifikon të lirojë nga burgu bashkëkryetarin e partisë kryesore pro-kurde, Selahattin Demirtaş dhe filantropin Osman Kavala, në përputhje me vendimet e marra nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

Pra me opozitën duhet pritur një afrim i Turqisë me BE-në. Por shumë gjëra do të varen edhe nga marrëveshjet e ardhshme në lidhje me flukset migratore. Erdogan ka marrë deri më sot më shumë se 6 miliardë euro nga Brukseli për të bllokuar këto flukse që të hyjnë në kontinentin e vjetër.

Ai ka kërkuar vazhdimisht fonde të reja për menaxhimin e emigrantëve dhe refugjatëve që janë bllokuar në vendin e tij, të cilët përdoren jo pak herë si një mjet shantazhi ndaj BE-së. Ndërkohë, presidenti turk është përpjekur të rregullojë marrëdhëniet me autokratin sirian Bashar Al-Assad, në mënyrë që të vazhdojë me riatdhesimin “vullnetar” të të paktën 1 milionë refugjatëve.

Pavarësisht ndërmjetësimit rus, nuk është arritur ende një marrëveshje. Kjo sepse Erdogan refuzon të tërheqë ushtrinë turke nga Siria Veriore. Ndërkaq lideri i opozitës premton të zbatojë një qasje më të butë ndaj emigrantëve. Kılıçdaroğlu e ka vënë vazhdimisht theksin tek nevoja e rishikimit të marrëveshjes së nënshkruar me BE-në.

Po ashtu ai synon të vazhdojë riatdhesimin e sirianëve falë një afrimi të ardhshëm me Assad. Kreu i CHP-së synon të angazhohet për arritjen e paqes në Siri dhe për përmirësimin e kushteve të jetesës atje, por nuk ka dhënë detaje se si synon t’i arrijë këto objektiva apo se si dhe çfarë do të bëjë me grupet e armatosura të lidhura me Turqinë.

Rusia, Ukraina dhe NATO

Suksesi i planeve të presidentit të ardhshëm turk në lidhje me Sirinë, do të përcaktohet edhe nga marrëdhënia me Rusinë. Erdogan ia ka dalë të ruajë marrëdhënie të afërta me Moskën duke u pozicionuar si ndërmjetës në konfliktin ukrainas. Kjo i ka sjellë përfitime të konsiderueshme në sektorin energjetik dhe një marrëdhënie të ngushtë me presidentin rus Vladimir Putin.

Por kjo nuk do të thotë se dy krerët e shteteve janë aleatë:Erdogan dhe Putin kanë vënë gjithmonë në qendër interesat e vendeve të tyre, duke arritur megjithatë të gjejnë një kompromis. Edhe Kılıçdaroğlu ka premtuar të ruajë një dialog “të ekuilibruar dhe konstruktiv” me Rusinë dhe të vazhdojë të ndërmjetësojë midis palëve ndërluftuese.

Por qasja e tij ndaj Moskës do të jetë më pak personale sesa ajo e Erdogan. Prandaj rruga e opozitës duhet të jetë ajo e pragmatizmit, edhe në përpjekje për të balancuar marrëdhëniet me Rusinë dhe ato me NATO-n. Nën sundimin e Erdogan, Turqia ka dëshmuar të jetë një gjemb në këmbë për Aleancën Atlantike, sidomos me veton e vendosur ndaj anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë.

Presidenti turk ka pranuar hyrjen e Helsinkit në NATO, por vazhdon të bllokojë atë të Stokholmit, pasi pret që qeveria suedeze të miratojë ligje më të rrepta kundër minoritetit kurd të pranishëm në vend, të perceptuar si një kërcënim nga lideri turk. Nëse fiton zgjedhjet, Erdogan ka të ngjarë ta zbusë qëndrimin e tij, por jo deri aty sa të japë miratimin e tij për hyrjen e Suedisë pa marrë diçka në këmbim.

Nga ana tjetër, opozita është shprehur pro zgjerimit të NATO-s, dhe në programin e saj e ka cilësuar Aleancën si themelore për garantimin e sigurisë së Turqisë. Ri-pozicionimi në të njëjtën linjë me NATO-n parashikon një afrim me Shtetet e Bashkuara, që do të arrihet përmes “një dialogu mes të barabartëve”, si dhe ri-integrimi në programin e prodhimit të përbashkët të avionëve F-35, nga i cili Turqia u përjashtua pas blerjes së sistemit raketor rus S-400. 

Greqia dhe Mesdheu

Marrëdhëniet midis Greqisë së Kyriakos Mītsotakis dhe Turqisë së Erdoganit kanë qenë shumë të tensionuara vitet e fundit. Por tërmeti i fortë që goditi Turqinë Jugore dhe aksidenti hekurudhor pranë Selanikut, i ka afruar të 2 presidentët, teksa ata përballen me fushatat e tyre përkatëse elektorale.

Megjithatë, efektet pozitive të të ashtuquajturës “diplomaci e katastrofave”, mund të mos zgjasin përtej zgjedhjeve të ardhshme, duke pasur parasysh ashpërsinë e toneve të përdorura nga dy liderët deri pak muaj më parë por edhe kompleksitetin e çështjeve që ndajnë Greqinë dhe Turqinë.

Por as me opozitën nuk do të ketë një ndryshim drastik të panoramës. Kılıçdaroğlu synon të fokusohet tek dialogu dhe diplomacia për të zgjidhur mosmarrëveshjen e vazhdueshme mbi Qipron dhe Mesdheun, por nuk ka ndërmend të lërë mënjanë interesat kombëtare të Turqisë.

Po ashtu, kreu i opozitës ka premtuar rifillimin e negociatave për përcaktimin e zonave detare të diskutueshme, por synon që të sigurojë ndarjen e drejtë të burimeve të pranishme në Mesdheun Lindor, një zonë me interes edhe për Italinë, e cila është partnere në projekt. përmes Eni EastMed për ndërtimin e një gazsjellësi që lidh Qipron me bregdetin italian. /albeu.com


Shtuar 24.04.2023 09:21