Hill: Serbia s’mund të ketë raporte me Rusinë siç i ka pasur, të vendosë vetë a do të hyjë në NATO

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka thënë në një deklaratë se asnjë shtet në Evropë e as Serbia s’mund të ketë raporte me Rusinë çfarë i ka pasur para 24 shkurtit.

Gjatë një konferencë të organizuar nga Këshilli EuroAtlantik i Serbisë, Hill ka folur mbi pozicionin e Serbisë në komunitetin Euro-Atlantik.

Ambasadori Hill ka thënë se SHBA-ja do të përkrahte Serbinë nëse do të shprehte dëshirën të hyjë në NATO por që është çështje për të cilën shteti serb duhet të vendos vetë, .

“I takon Serbisë dhe popullit të Serbisë që të përcaktojë nevojat e tyre të sigurisë. Ne jemi të gatshëm të mbështesim aspiratat e Serbisë dhe ajo duhet të shikojë nga e ardhmja dhe çfarë mund të arrijë për veten e saj. Si anëtare e NATO-s theksoj se i takon Serbisë të vendosë, nëse do të ishte zgjedhje, nëse do të ishte dëshirë, ashtu siç dëshiron Serbia të anëtarësohet në BE, ku ne e mbështesim Serbinë dhe nëse Serbia do të donte të anëtarësohej në NATO, atëherë do të kishte edhe shumë zgjedhje të vështira që do të duhej t’i bënte, shumë procedura për të përmbushur dhe ne do ta ndihmonim Serbinë, por dua të theksoj përsëri, nuk varet nga ne por nga vetë Serbia”, tha Hill.

Diplomati amerikan tha se marrëdhëniet me Rusinë s’mund të kthehen në ato që ishin para 24 shkurtit.

“Presidenti Biden e ka bërë të qartë se nuk ka kthim mbrapa. Dyshoj se ndonjë vend në Evropë, përfshirë edhe Serbinë, do të ketë të njëjtat marrëdhënie me Rusinë si para 24 shkurtit 2022. Ka shumë gjëra në të kaluarën, për të folur se si të shikohet e kaluara, sepse është detyrë e avokatëve, jo vetëm historianëve, por e vetmja detyrë e diplomatëve është të shohin përpara dhe çfarë elementesh do të jetë e nevojshme për të ndërtuar marrëdhënie dypalëshe duke respektuar dëshirat e njëri-tjetrit”, tha ai./albeu.com