A do të dërgohet në karantinë? Pacolli: S’veproj kundër rregullave dhe ligjit

Kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli ka arritur në Prishtinë, por ka thënë se nuk e di nëse do të dërgohet në karantinë ose jo.

Por, megjithatë ai ka thënë se do t’i respektojë të gjitha rregullat dhe procedurat dhe nuk do të rezistojë për asgjë. Ai ka deklaruar se nuk ka kërkuar nga askush në Kosovë që të bëjnë përjashtim në rastin e tij, njofton Klan Kosova.

“Nuk e di si janë procedurat. Asnjëherë nuk jam deklaruar se do të veproj diçcka kundër rregullave, normave dhe ligjit – asnjëherë”.

“As nuk kam kërkuar prej askujt që të bëjnë përjashtim në rastin tim. Çdo gjë që ka ndodhur e kam kuptuar prej ideve konspirative të cilat kanë qenë prezente këto ditë. Është e papranueshme që të paragjykohet dikush me arrestim dhe të bëhet presion i paparë ndaj një qytetari të Kosovës, pa marrë parasysh kush jam unë”.

“Në asnjë moment nuk jam shprehur dhe as nuk ka qenë në kokën time që unë të veproj diçka jashtë normave. Kushdo që e ka thënë këtë ka gënjyer. Nuk e kam thirrur askënd në Kosovë që të bëjnë një përjashtim për mua. Unë jam qytetar i rëndomtë. Derisa e dua dhe e respektoj vendin tim i nënshtrohem të gjitha masave”.

Pacolli ka deklaruar se i ka kryer të gjitha procedurat, por nuk e di nëse do të lejohet që të shkojë në rezidencën e tij në Hajvali, apo do të dërgohet në karantinën në Qendrën e Studentëve.

“Çka do të ndodh nuk e di, por unë nuk i rezistoj. I respektoj normat që janë ndërmarrë për secilin qytetar. Nuk do ta toleroja asnjëherë që të ketë diferencime, pra që ndaj meje të ketë përparësi ose mangësi. Nëse ka një rregull që është aplikuar për krejt qytetarët e Kosovës, atëherë jam i pari që do ta zbatoj – tani dhe çdo herë”.

Por, çka thotë ai për dyshimet e ngritura se ishte futur në Kosovë dy ditë më parë me veturën e presidentit?

“Jam knaqë duke lexuar, e kam marrë në mënyrë satirike. Nuk më ka pëlqyer që deklarata e ushtruesit të detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla që ka qenë e transmetuar në krejt televizionet ballkanike”.

“Nuk ka televizion në Serbi që nuk e ka mbajtur kryetitull deklaratën e tij ‘nëse Pacolli gjendet në territorin e Kosovës, atëherë do të arrestohet’. Jam privuar prej shtetit tim dhe kjo është e papranueshme”.


Shtuar 30.04.2020 17:48