Harrojeni “ëndrrën amerikane”, ja vendet më të mira për emigrantët

InterNations – rrjeti më i madh global i emigrantëve – ka përditësuar listën vjetore Expat Insider duke renditur destinacionet më të mira për emigrantët në mbarë botën. Komuniteti global për njerëzit që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit kontaktoi me 11,970 emigrantë që përfaqësojnë 177 kombësi dhe që jetojnë në 181 vende ose territore.

Destinacioni më i mirë për të jetuar si emigrant në 2022? Meksika është fituese, me 91% të emigrantëve që thonë se janë të lumtur me jetën e tyre. Meksika renditet e para për lehtësinë e procedurave të emigracionit dhe e dyta për financat personale. Por ka disa të meta. “Siguria është ndoshta çështja më e madhe,” thotë themeluesi i InterNations, Malte Zeeck.

Meksika pasohet nga Indonezia në vendin e dytë dhe Tajvani në vendin e tretë. Indonezia renditet lart për shkak të financave, ndërsa Tajvani për sigurinë dhe qëndrueshmërinë financiare.

Shtetet e Bashkuara u renditën në vendin e 14 në listë, më poshtë se vende si Estonia (11), Omani (12) dhe Kenia (13), por mundi Kanadanë fqinje (në numrin 23). Sipas raportit, emigrantët i duan perspektivat e karrierës dhe kulturën e punës në Shtetet e Bashkuara, por kanë shqetësime në lidhje me përballueshmërinë e kujdesit shëndetësor.

Po vendet europiane?

Vetëm dy vende europiane hynë në dhjetëshen e parë këtë vit. Portugalia është destinacioni më i mirë për emigrantët në Europë. Portugalia renditet në vendin e katërt në renditjen e përgjithshme për destinacionin më të mirë global të emigrantëve, veçanërisht për rrezet e diellit dhe jetën e mirë shoqërore.

Nëntë nga dhjetë emigrantë të anketuar thanë se u pëlqen klima dhe moti, ndërsa 89% ishin të kënaqur me cilësinë e ajrit. Megjithatë, më shumë se gjysma e emigrantëve të pyetur thanë se e kanë të vështirë të merren me burokracinë lokale. Megjithatë, në përgjithësi, 85% emigrantëve thanë se janë të lumtur me jetën e tyre në Portugali.

Spanja u votua si destinacioni kryesor i emigrantëve për cilësinë e jetës. Të anketuarit thanë se u pëlqente shumëllojshmëria e ushqimit, mundësitë për sporte dhe kultura dhe jeta e natës. Spanja u rendit gjithashtu lart për klimën dhe motin, “e mundur” vetëm nga fqinji i saj, Portugalia.

Edhe pse Spanja nuk hyn në top 10 në indeksin e financave personale, 70% e të anketuarve janë të kënaqur me koston e jetesës. Ashtu si Portugalia, megjithatë, emigrantët shprehën pakënaqësi për mundësitë e karrierës dhe mungesën e pagave të drejta.

Franca ka kujdes të mirë shëndetësor, por administrim të ngadaltë. Tre në pesë emigrantë thonë se është e vështirë të jetosh në Francë pa folur gjuhën vendase. Të gjitha gjërat administrative janë shumë të ndërlikuara. Sistemi është i vjetëruar dhe i ngadalshëm,” tha një emigrant lituanez.

Cilat vende europiane janë më të këqijat për emigrantët? Pavarësisht reputacionit të saj për la dolce vita, Italia renditet në 10 destinacionet e fundit për emigrantët në sondazhin e InterNations. 29% e emigrantëve nuk ndihen të paguar në mënyrë të drejtë për punën e tyre krahasuar me 20% në nivel global. Gati gjysma e të pyeturve thanë se janë të pakënaqur me tregun lokal të punës. Ata vlerësojnë klimën dhe motin, si dhe shumëllojshmërinë e kuzhinës.

Luksemburgu renditet gjithashtu në 10-shen e fundit, i kritikuar për mungesën e aktiviteteve të kohës së lirë dhe koston e lartë të jetesës. 42% e emigrantëve janë të pakënaqur me jetën sociale.

Emigrantët janë të pakënaqur edhe me Maltën për shkak të infrastrukturës për makinat dhe mjedisin urban, e cila renditet në vendin e fundit. 69% e emigrantëve e patën të vështirë të hapnin një llogari bankare krahasuar me 21% në nivel global.

Top 10 vendet më të mira për emigrantët në nivel mbarëbotëror:

  1. Meksika
  2. Indonezia
  3. Tajvani
  4. Portugalia
  5. Spanja
  6. Emiratet e Bashkuara Arabe
  7. Vietnami
  8. Tajlanda
  9. Australia
  10. Singapor

10 vendet më të këqija për emigrantët në nivel mbarëbotëror:

  1. Kuvajti
  2. Zelanda e Re
  3. Hong Kongu
  4. Qipro
  5. Luksemburgu
  6. Japonia
  7. Afrika e Jugut
  8. Turqia
  9. Italia
  10. Malta