Basha në Vlorë: Nuk jam bërë pishman që e kam përjashtuar Berishën nga Grupi Parlamentar i PD

Ish-kreu i PD-së Lulzim Basha po zhvillon një takim me të rinjtë në Vlorë.

Gjatë fjalës së tij, Basha ka hedhur akuza sërish ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ku u shpreh se marrëveshja Berisha-Rama e 2008 dëmtoi bashkëjetesës demokratike.

“Edhe një herë, është kënaqësi e madhe të ndodhem në mesin tuaj sot. Momenti që po diskutonim ftesën për të ardhur në Vlorë, filloi një pritshmëri pozitive për tu rikthyer pas një kohe të gjatë në mesin e qytetarëve vlonjatë, në veçanti në mesin e rinisë vlonjate.

Ka qenë një kohë e mbushur me zhvillime, e mbushur me pritshmëri, e mbushur edhe me zhgënjime. Por ajo që ka rëndësi është jo vetëm çfarë kemi kaluar, që është e rëndësishme, por ku do të shkojmë?
Dhe kjo është një pyetje që gjithsecili ia bën vetes. Edhe atyre që janë shumica, për fat të keq në vlorë dhe në Shqipëri, që s’po iu ecën ashtu siç duhet, por edhe dikujt që po iu ecën. Ku do të shkojmë që këtu?

Dhe më shumë sesa për të treguar rrugën ku do të ecim, do të doja të bëja një bashkëbisedim se si e shikoni këtë rrugë. Pa diskutim që unë kam një vizion, një projekt do të thosha, për të rregulluar ato aspekte të jetës politike, prishja e të cilave ka ndikuar jetën ekonomike dhe jetën shoqërore të Vlorës dhe gjithë Shqipërisë.

Dhe besoj se këto tre-katër herë që kam pasur mundësi të shprehem publikisht, pas një viti e pak heshtje të gjatë, i kam bërë të ditura disa prej këtyre pjesëve të një projekti apo vizioni, se si mund ti bëjmë gjërat më mirë. Por, sado që duam t’i shmangemi, nuk i shmangemi dot përse erdhëm këtu? Dhe ku jemi? Jemi në një Vlorë pa konkurrencë, pa mundësi për gjithë vlonjatët dhe në veçanti për rininë”, deklaroi Basha.

Basha tha se nuk është bërë pishman për 9 shtatorin, pasi sipas tij ishte një vendim në interes të demokratëve.

“Natyrisht përgjigjja e shkurtër është jo, nuk jam bërë pishman. Nuk jam bërë pishman sepse vendimin nuk e kam marrë i nisur as nga interesi im, as nga interesi i një grupi të ngushtë. E kam marrë nisur nga interesi i demokratëve, të cilët e kanë parë me 14 majin se ku na çon vendimmarrja e gabuar, se ku na çon gjykimi pa mend në kokë. Po gjykimi vetëm me emocion të cilin e kuptoj. Shiko, mua nuk do të më dëgjoni kurrë të bëjë bardh e zi. Bardh e zi është varfëri mendore dhe varfëri shpirtërore. Nuk do të më dëgjoni kurrë të lëpij atë që kam pështyrë. As të shkel mbi atë që kam ecur, me bindjen se ka qenë rruga e drejt. Maksimumi mund të pendohem, siç jam penduar për jo pak gjëra dhe të kërkoj ndjesë siç kam kërkuar ndjesë, por duhet të kërkoj edhe më shumë, por jo të rivizatojë të kaluarën nisur nga interesat e të sotmes apo të nesërmes, këtë nuk kam për ta bërë kurrë. Me Sali Berishën kemi pasur një rrugëtim me pjesët e veta pozitive, të padiskutueshme që edhe sot nuk mund t’i mohojmë as unë dhe askush tjetër. Unë i pai jo, sikundër me dritëhijet e veta”, tha Basha.

“Unë nuk jam që në këtë moment, meqë ai shpall armik këdo që si pëlqen dhe unë ta shpall armik. Nuk jam për këtë. Në një moment, pas vendimmarrjes së Shteteve të Bashkuara për ta shpallur non grata, ne u ballafaquam me një vendimmarrje të vështirë, vendimmarrje që në fakt sfidon nëse je lider i vërtet apo i rremë. Se lider për të marrë vendime kur je në majën e pushtetit janë të gjithë. Dalim aty, në veçanti këtu në bulevardin kryesorë të Vlorës dhe e kemi plotë me lider të kalibrit europianë apo jo? Ama prova e vërtetë e lidershipit është kur duhet të marrësh vendim të vështirë. Sprova e vërtetë e lidershipit është nëse ndodhesh para një vendimi që o do të sakrifikosh veten, o do të sakrifikosh ata që të kanë besuar lidershipin. Lidershipi që sakrifikon ata që i kanë besuar lidershipin për të shpëtuar veten, është lidership i rremë. Dhe unë nuk pranova i dashur Edison, të jem një lider i rremë. Unë e dija që pa marrjen e një vendimi të tillë, Partia Demokratike dhe demokratët do të futeshin në një kolaps, në një rrugë pa krye dhe për asnjë çast nuk pretendova të kundërtën. Dhe kjo, pa diskutim që më vuri para përgjegjësisë për të marrë atë vendim. E dëgjuat çfarë tha pas kësaj? Dëgjuat sulmet, baltën, shpifjet? Ku jemi sot? Ku e kemi sot revolucionin që do e rrëzonte për 6 muaj Edi Ramën? Ku e kemi sot retorikën gjithë inflacion të shitjes së zgjedhjeve? Sepse derisa mora atë vendim, kjo retorikë nuk ekzistonte”, u shpreh ai.


Shtuar 1.06.2023 11:13