Kandidatura e Simon Mirakës, reagon grupi i Alibeajt: Nuk kundërshtuam emrin, por faktin që ishte propozim nga Sali Berisha

Grupi i Enkelejd Alibeajt ka reaguar pas heqjes së kandidaturës së Simon Mirakës nga posti i komisionerit të Komisionit të Dosjeve të Sigurimit të Shtetit.

Në një deklaratë për mediat, grupi i Alibeajt tha se asnjë nga deputetët e PD në Komisionin e Ligjeve nuk ka kundërshtuar kandidatin Simon Miraka, por kanë kundërshtuar faktin që ai ishte propozim i Sali Berisha.

Reagimi i grupit të Alibeajt erdhi pas akuzave që lëshoi nga salla e Kuvendit kryetari i PD-së Sali Berisha.

Reagimi i grupit të Alibeajt:

Asnjë nga deputetët e PD në Komisionin e Ligjeve nuk ka kundërshtuar kandidatin Simon Miraka, por kanë kundërshtuar faktin që ai ishte propozim i Sali Berisha dhe ishte i vetmi që çuditërisht u përzgjodh me votat e Edi Ramës. Në këtë rast është vënë në dukje standardi i dyfishtë i Partisë Socialiste.

Revolta jonë ishte shprehje e faktit se me vota të deputetëve të PS u refuzuan pa asnjë shkak përfaqësues të denjë të të përndjekurve politik Marçel Hila, Skënder Vrioni, Gjergj Marku dhe Besim Ndregjoni, të cilët ishin propozuar nga shoqatat e të përndjekurve politik dhe që u votuan nga deputetët e PD në Komisionin e Ligjeve.