Tensionet ne veri/ Kurti takohet sot me Borrellin e Lajçakun në Bratislavë

Kryeministri Kurti sot do të takohet me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, në kuadër të Forumit të Bratislavës ku Kurti po merr pjesë.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

“Kryeministri Kurti po merr sot pjesë në ditën e fundit të Konferencës për Siguri Globale në Bratislavë. Ndër të tjerash, atje do të takojë Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Borrell dhe emisarin e BE-së, Lajçak si dhe do të jetë pjesë e disa paneleve të diskutimit”.

Kryeziu tha se qëndrimi i Kurtit do të jetë njëditor dhe se brenda ditës do të jetë në Kosovë.

Në një konferencë për media dje, Borrell tha se ishin duke bërë përpjekje për një takim urgjent të nivelit të lartë Kurti-Vuçiq për shkak të ngjarjeve të fundit në veri të vendit. Forumi i Bratisllavës u përmend si mundësi ku do të mund të realizohej ky takim, por presidenti serb Vuçiq e ka anuluar pjesëmarrjen për, siç pretendoi ai, “është më e rëndësishme të jem me popullin tim”.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në BE nëse përpjekjet për këtë takim janë duke vazhduar, por ende s’ka marrë përgjigje.

Kurtit e Vuçiçit iu bë thirrje që të kthehen në tavolinën e dialogut dhe të ulin tensionet menjëherë.