Rrufeja i vrau tufën me 165 dele, blegtori nga Gramshi në gjendje të rënduar psikologjike

Ditën e djeshme, moti i keq në Gramsh rezultoi fatal për një prej blegtorëve të zonës, i cili humbi 165 krerë dhenë nga tufa e tij, pasi u goditën nga shkreptima e rrufesë.

E gjithë tufa ngordhi, por fatmirësisht shpëtoi çobani i saj Skënder Shuli, i cili me lot në sy bëri apel për ndihmë nga qeveria, pasi tha se familja e tij prej 6 anëtarësh kishte si burim të ardhurash gjedhët.

“Sot rrufeja nuk goditi vetëm tufën time, por gjithë familjen”, tha blegtori Shuli.

Ditën e sotme banorët e zonës si dhe ekspert nga Ministria e Bujqësisë kanë bërë groposjen e deleve, ndërsa blegtori, i cili ka kaluar gjithë jetën me mbarështimin e tyre nuk mundi t’i bashkohej bashkëfshatarëve, pasi gjendja e tij psikologjike është tepër e rënduar.

Ndërkohë, sipas banorëve shiu ka qenë shumë i rrëmbyeshëm dhe i shoqëruar me vetëtima të fuqishme, aq sa në zonë prej vitesh nuk mbahej mend një stuhi e tillë./BW