Po tentonte të vidhte makinën në Kashar dhe rrahu policët, arrestohet 28-vjeçari

Një 28-vjeçar, i cili tentoi të vidhte me dhunë një automjet, si dhe kundërshtoi me dhunë punonjësit e Policisë gjatë tentativës për ta parandaluar, është arrestuar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, gjatë patrullimit në terren për garantimin e rendit dhe sigurisë, ditën e sotme, rreth orës 11:10, në bulevardin e Kasharit, kanë konstatuar një shtetas i cili po tentonte të vidhte një automjet.

Uniformat blu kanë ndërhyrë menjëherë duke parandaluar vjedhjen e automjetit, dhe kanë arrestuar shtetasin D. S., 28 vjeç, banues në Tiranë, i cili gjatë kohës së ndërhyrjes ka kundërshtuar më dhunë dhe goditur punonjësit e Policisë, për shkak të detyrës.

Në vijim të veprimeve, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 28-vjeçari, ditën e sotme, ka kanosur nëpërmjet telefonit, një tregtar makinash në Vorë, për ti marrë atij një automjet.

Ky rast është publikuar me video, në disa rrjete sociale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

/Albeu.com/


Shtuar 14.08.2023 12:53