Sera me kanabis në Berat/ Shoqërohen 80 gra, merreshin me përpunimin e bimës

Këto janë pamjet kur policia shoqëron rreth 80 gra, të cilat punonin në disa sera në Kutalli të Beratit, ku kultivohej dhe përpunohej kanabis. Uniformat blu ndërhynë gjatë paradites, pasi kishin marrë informacione se serat me sipërfaqe prej 2 hektarësh perdoreshin nga trafikantët.

Serat ishin në pronësi të 40-vjeçarit Hamit Dyli, i cili u shoqërua dhe pritet që të përballet me akuza të kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike. Gratë e shoqëruara janë marrë në pyetje nga grupi hetimor, që po përpiqet të zbulojë nëse ka persona të tjerë të lidhur me këtë aktivitet.

Hetimet janë përqendruar gjithashtu edhe në lidhjet e pronarit të serave me persona të tjerë që do të mundësonin trafikimin e lëndës narkotike.

Deri në këtë fazë të hetimeve, Policia e Shtetit nuk ka bërë me dije rezultatet e këtij operacioni dhe sesa bimë janë sekuestruar apo sa persona janë ndaluar. Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që një pjesë e lëndës narkotike që u gjet në keto ambiente të jetë sjellë nga një tjetër vend për t’u përpunuar.

Qëkur policia nisi operacione masive kundër kanabisit, trafikantët po përdorin ambiente të mbyllura, si sera, tunele apo shtëpi të braktisura për ta kultivuar atë.