Kamera dhe granata gati për shpërthim në parcelën me kanabis në Tropojë, një në pranga dhe një në kërkim

Në vijim të punës për zbardhjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve, efektivët e Komisariatit të Policisë Tropojë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, organizuan punën për identifikimin e autorëve të kultivimit të bimëve narkotike, në pyllin e fshatit Kovaç.

Pas punës hetimore, në bashkëpunim me Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë, u bë i mundur identifikimi i autorëve. Bazuar në provat e siguruara, më datë 10.04.2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë ka caktuar ndaj këtyre shtetasve, masën e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, të kryera në bashkëpunim.

Në zbatim të vendimit të gjykatës u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Sofistikimi”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit A. H., 51 vjeç, banues në fshatin Kovaç dhe shpallja në kërkim e bashkëpunëtorit të tij, shtetasit B. Ç., 22 vjeç, banues në fshatin Kovaç.

Bazuar në provat e siguruara, rezulton se këta shtetas, më datë 28.09.2021, në pyllin e fshatit Kovaç, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar bimë narkotike, përreth të cilave kishin lidhur me fill sintetik 2 granata ofensive, si dhe kishin vendosur kamera, për të monitoruar zonën.

Gjithashtu, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se në muajin korrik të vitit 2020, kanë kultivuar bimë narkotike, në fshatin Hoxhaj. Për këtë rast ishte regjistruar procedimi penal në Prokurori.

Vijon puna për kapjen e shtetasit B. Ç., identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprime të mëtejshme./albeu.com


Shtuar 12.04.2022 12:10