Pse planet e Ukrainës për çlirimin e Krimesë mund ta përçajnë Perëndimin

Nga Jeremy Cliffe “New Statesman

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Teksa po afrohet përvjetori i parë të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, uniteti perëndimor në lidhje me çështjet themelore të luftës mbetet jashtëzakonisht i fortë. Është e vërtetë, që ka pasur dallime në shkallë dhe tone në lidhje me ofrimin e ndihmës ushtarake nga shtetet anëtare të NATO -s për Ukrainën.

Por me përjashtimin e pjesshëm të Hungarisë së kryeministrit Victor Orban, të gjithë të tjerët janë dakordësuar që forcat e armatosura të Vladimir Putin nuk duhet të dominojnë në këtë luftë, dhe se Ukraina duhet të mbështetet me çdo mjet që është në dispozicion për të rimarrë territorin e pushtuar nga Rusia, të paktën që nga data 24 shkurt 2022 e në vazhdim.

Ky mirëkuptim i përbashkët është përforcuar ditët e fundit nga një valë e re njoftimesh mbi dërgimin e armëve shtesë drejt Ukrainës. Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara do t’i dërgojnë Kievit ato që janë në thelb tanke të kalibrit të lehtë, edhe pse zyrtarisht quhen automjete të blinduara ushtarake.

Ky akt e rrit ndjeshëm mundësinë që shumë shpejti këto vende kyçe në aleancën perëndimore t’i dërgojnë ushtrisë ukrainase edhe tanke të kalibrit më të rëndë, si për shembull “Challenger 2s”, diçka që u raportua ditët e fundit se po merret seriozisht në shqyrtim nga qeveria e Britanisë së Madhe.

Momenti që po krijohet pas ofrimit ndaj Ukrainës të mjeteve të nevojshme ushtarake, do të shërbejë për të arritur përparime të mëtejshme të mëdha pas atyre në rajonet Kharkiv dhe Kherson në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.

Dhe kjo e rrit njëkohësisht edhe perspektivën që Ukraina në fillim të ndërpresë, dhe më pas të rimarrë potencialisht Gadishullin e Krimesë, të aneksuar nga Rusia që në shkurtin e vitit 2014.

Në një intervistë dhënë për “National Public Radio” më 2 janar, Ben Hodges, ish-gjenerali sot në pension, dikur komandant i ushtrisë amerikane në Evropë, e përshkroi në detaje skenarin ushtarak.

Dy rrugë e lidhin Krimenë e pushtuar me Rusinë kontinentale. E para lidh istmin e saj me korridorin tokësor të mbajtur nga Rusia që kalon përmes qyteteve Melitopol dhe Mariupol në territoret e kontrolluara nga Rusia në Donbas në kufirin rus.

E dyta është Ura e Kerçit, e dëmtuar tashmë nga një shpërthim i fuqishëm me një makinë bombë në tetor 2022. Hodges tha se parashikon që “gjatë dy muajve të ardhshëm” ushtria ukrainase t’i ndërpresë që të dyja këto lidhje, dhe kësisoj të jetë në pozicionin e duhur “për ta çliruar Krimenë deri në fund të gushtit”.

Pyetja është:A duhet ta mbështesë dhe inkurajojë Perëndimi Ukrainën që ta bëjë këtë gjë? Nga njëra anë, Krimeja nuk është si territoret e tjera që janë rimarrë deri më sot nga ushtria ukrainase. Rusia e pushtoi dhe e aneksoi ilegalisht jo pas 24 shkurtit 2022, por që në vitin 2014. Ajo zë vend të veçantë në imagjinatën historike dhe kombëtare ruse.

Poshtërimi që do të sillte çlirimi i saj nga Ukraina, ka potencialin të jetë një ngjarje që mund t’i japë fund regjimit aktual në Kremlin. Dhe a ka të ngjarë që kjo perspektivë ta shtyjë Vladimir Putinin të përdorë armët e tij bërthamore?

Kjo perspektivë – që shihet më shpesh me frikë në kryeqytetet e Evropës Perëndimore si Parisi dhe Berlini – e sheh kontrollin e vazhdueshëm të Krimesë nga Rusia si një mjet negocimi potencialisht vendimtar në çdo lloj negociate që do të zhvillohet një ditë për t’i dhënë fund konfliktit.

Kundër-argumenti është se një rezultat i tillë do të sillte rreziqet e veta. Krimeja i përket me të drejtë Ukrainës. Së bashku me çdo rajon tjetër të vendit ajo votoi në shumicë pro pavarësinë nga Rusia në referendumin që organizoi republika sovjetike në vitin 1991.

Pranimi nga Kievi por edhe Perëndimi që Moska ta shkelë dhe dhunojë këtë vullnet popullor nëpërmjet forcës ushtarake, do të krijonte një precedent të rrezikshëm ndërkombëtar. Kontrolli i Krimesë nga Putini, do t’i jepte atij mundësinë që të vazhdonte të minonte sigurinë e Ukrainës dhe qasjen e saj jetike në Detin e Zi.

Për këto arsye thuhet se është më mirë që ta mbështesim çlirimin e saj. Kjo pikëpamje dominon në shtetet e Evropës Lindore por edhe në segmente të rëndësishme të establishmentit në Uashington. Prandaj, mbështetësit e Ukrainës janë të ndarë në lidhje me çështjen e Krimesë, në një mënyrë që ata nuk kanë qenë asnjëherë më parë për asnjë nga temat e tjera kryesore të luftës.

Dhe është fakt që kjo çështje delikate ka potencialin ta përçajë koalicionin. Pikërisht këtu qëndron paradoksi që mund të përcaktojë fazën tjetër të konfliktit:sa më shumë që Ukraina do të përparojë nga ky moment e tutje, aq më shumë do të jetë e rrezikuar të zbehet mbështetja ndërkombëtare që e mundëson këtë gjë.

Gjatë 11 muajve të fundit presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka dëshmuar veten si një udhëheqës të shkëlqyer si një zë i fuqishëm global për vendin e tij në një kohë shumë të vështirë për kombin. Por shumë shpejt ai mund të përballet me rreziqe të ndryshme:ato që gjeneron suksesi./albeu.com


Shtuar 13.01.2023 12:45