Pse afganët e Shëngjinit janë ngritur në protestë

Disa shtetas afganë janë ngritur në protestë pasi administratori i hotelit ku janë strehuar u ka kërkuar që të largohen.

Bëhet fjalë për 348 shtetas afganë që janë strehuar përkohësisht në një resort në Shëngjin.

Shkak është bërë mungesa e pagesës nga ana e një prej shoqatave që financon qëndrimin e tyre në Shqipëri.

Me pankarta në duar ata thonë se janë harruar nga autoritetet dhe nuk kanë asnjë sqarim për të ardhmen e tyre edhe pse kanë kërkuar edhe vetë të ikin nga Shqipëria.

“Ne jemi këtu prej shumë muajsh, ndërsa nuk kemi asnjë të dhënë se çfarë do të ndodhe me ne për të ikur në SHBA, ose në Kanada. Një organizatë nuk ka paguar prej disa muajsh. Ne jemi me familjet këtu ne kemi fëmijë, dhe na duhen edhe medikamente të ndryshme, nuk e dimë çfarë do të bëhet me ne”, thotë një shtetase afgane.

Bledar Shima, administratori i resortit ka pranuar problemin financiar me një prej shoqatave që nuk paguan prej janarit për akomodimin e këtyre shtetasve, por ka përjashtuar mundësinë e nxjerrjes së tyre në rrugë.

“Kemi një problem financiar me një prej fondacione dhe po bashkëpunojmë që të gjejmë një rrugë të përbashkët për pagesën, por nuk kemi marrë asnjë vendim për t’i nxjerrë forcërisht. Pagesat nuk janë bërë prej janarit”, thotë administratori i resortit.