“Mall” e armë pa leje, e pësojnë dy vlonjatët

Policia e Vlorës ka arrestuar dy persona pas një kontrolli masiv për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

Janë arrestuar H. T., 40 vjeç dhe A. B., 50 vjeç, të dy me banim në fshatin Llakatund, Vlorë si dhe u sekuestruan dy armë zjarri kallashnikov.

Si rezultat i këtij operacioni, Policia ka evidentuar dhe asgjësuar fidanë të dyshuar cannabis sativa, të cilat ishin kultivuar në pronën e këtyre shtetasve, në fshatin Llakatund.

Po gjatë operacionit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe 2 armë zjarri kallashnikov me municion luftarak, të cilat dyshohet se i posedonin këta shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme hetimore.


Shtuar 8.09.2020 08:02