Mësime nga kufiri i NATO-s:”Mos i nënvlerësoni asnjëherë rusët”

Nga David Brennan “Newsweek

Përktheu:Alket Goce-AlbEu.com

Për dekada me radhë, rojet kufitare estoneze kanë vëzhguar me kujdes lumin Narva që i ndan nga Rusia. I rrethuar nga të dyja anët nga fortesa të epokës mesjetare, ky lumë shërben edhe si kufiri i NATO-s me armikun e saj historik, si dhe një nga rrugët e mundshme të pushtimit për kolonat e tankeve ruse në rastin e një lufte në shkallë të gjerë.

Vendndodhja e pasigurt e Estonisë dhe historia e gjatë e nënshtrimit perandorak – dhe më së fundmi tensionet e vazhdueshme ndërkufitare – nga perandoritë e njëpasnjëshme ruse ka bërë që Talini të kenë shumë pak besim ndaj Moskës. Nuk është për t’u habitur që Estonia ka qenë ndër mbështetëset më të vendosura të Ukrainës që kur ajo arriti pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik.

Në prag të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, dhe teksa udhëheqësit dhe ekspertët po thoshin se Vladimir Putin nuk do të guxonte ta fuste Evropën në luftë, Estonia, një vend anëtar i NATO-s me vetëm 1.3 banorë dhe me një buxhet të mbrojtjes rreth 1000 herë më të vogël se ai i SHBA-së, ishte një nga vendet e para që i dërgoi Kievit armët anti-tank Javelin, të cilat do të ishin shumë të rëndësishme në mbrojtjen e kryeqytetit.

Që nga ajo kohë, Estonia i ka dhënë Ukrainës të gjithë arsenalin e saj të topave 155 mm, dhe ka qenë më bujare nga të gjitha vendet perëndimore sa i përket asistencës në raport me PBB-në e saj. Po ashtu ka pritur më shumë se 62.000 refugjatë ukrainas, që në raport me popullsinë është sërish është më e larta në Bashkimin Evropian.

Kësisoj Estonia dhe shtetet e tjera baltike – të akuzuara nga Kremlini si “të prirura drejt ekstremizmit” – së bashku edhe me Poloninë, po formojnë një qendër të re morale të gravitetit në Evropë, edhe pse pesha politike, ushtarake dhe ekonomike anon ende nga Evropa Perëndimore.

Për vite me radhë, aleatët perëndimorë i kushtuan pak vëmendje paralajmërimeve të Baltikut se Rusia përbënte një rrezik për kontinentit. Tani, politikanët, zyrtarët dhe ekspertët estonezë thonë për Neësëeek se Perëndimi duhet të dëgjojë dhe mësojë prej tyre. “Vendet e tjera po thonë tani se duhet që të na dëgjojnë pak më shumë. Por a po ndodh kjo? Po dhe jo. Bota është e ndërlikuar. Interesat e kombeve më të mëdha, sidomos atyre bërthamore, dhe të vendeve më të vogla si Estonia mund të ndryshojnë, edhe pse jemi në të njëjtat struktura

si NATO ose BE”- deklaron Marko Mihkelson, anëtar i parlamentit të Estonisë dhe i komitetit të punëve të jashtme.

Por edhe në Estoni, pakkush mendoi se Kremlini do të tregohej kaq shumë i pamatur. “Unë isha disi mosbesues deri në momentin e pushtimit. Ekspertët ushtarakë thoshin se Rusia nuk ishte realisht e përgatitur apo e aftë të pushtonte Kievin, e lëre më pastaj gjithë Ukrainën”- thotë Kristi Raik, zëvendësdrejtore e Qendrës Ndërkombëtare për Mbrojtjen dhe Sigurinë me seli në Talin.

Tmerret e imperializmit të huaj janë të ngulitura thellë në kujtesën kolektive të Estonisë.

E pushtuar nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1940, u pushtua 1 vit më vonë nga nazistët gjermanë. Trupat sovjetike u kthyen në vitin 1944, dhe nuk u larguan nga atje deri në vitin 1991.

Rreth çereku i të gjithë estonezëve u vranë gjatë Luftës së Dytë Botërore, një nga normat më të larta në të gjithë Evropën. Dekadat e pushtimit sovjetik pasues sollën deportime dhe zhdukje masive. Kryeministrja aktuale Kaja Kallas, ka një histori të ngjashme me shumë estonezë.

Nëna e saj Kristi, asokohe vetëm 6-muajshe, u dëbua në Siberi me nënën dhe gjyshen e saj

në mesin e spastrimeve sovjetike të pasluftës. Kallas ishte adoleshente kur Estonia e fitoi pavarësinë e saj. Në Konferencën e Sigurisë të Mynihut të këtij viti, Kallas tha:”Paqja e qëndrueshme në të ardhmen varet nga prishja e ëndrrave imperialiste që kanë rusët. Dhe nuk po flas vetëm për Putinin…Ne duhet ta ndërpresim këtë cikël vicioz”.

Mihkelson është dakord me këtë qëndrim. “Dëshira e tyre për të rivendosur perandorinë ruse, është kaq e rrënjosur në mendësinë e tyre, jo vetëm tek liderët, por edhe tek rusët e thjeshtë, madje edhe nga figurat më liberale”-thotë ai.

Duke kujtuar përvojën e tij si gazetar që mbulonte Luftën e Parë Çeçene në mesin e viteve 1990, Mihkelson thotë se nisi të kuptonte shumë qartë se “Rusia do të ishte një fqinje shumë e rrezikshme, jo ​​vetëm për Estoninë, por për të gjithë Evropën”. “E njëjta gjë vlen edhe për Kaja Kallas dhe cilindo tjetër në Estoni, që përmes historisë së tij familjare ka një kuptim mbi Rusinë dhe realitetet ruse”- shton Mikhelson.

Për shkak të pushtimi rus të Ukrainës, autoritetet në Estoni po rrëzojnë monumentet e luftës të epokës sovjetike kushtuar ish-padronëve perandorakë të vendit. Por kjo fushatë ka ngjallur zemërimin e 322.000 estonezëve që identifikohen si rusë etnikë, duke i ndërlikuar problemet e vjetra të integrimit dhe ndikimin ndërkufitar të Rusisë.

NATO dhe BE kanë treguar vendosmëri gjatë 12 muajve të parë të luftës, duke treguar pak shenja përçarjeje, që Moska shpresonte se do ta minonin koalicionin pro-ukrainas. Por lufta filloi me një sjellje nga Perëndimi që të kujtonte mosveprimin e aleatëve ndaj aneksimi të Krimesë në vitin 2014, thotë Ministri i Jashtëm estonez Urmas Reinsalu, që thekson se nuk po bëhet ende mjaftueshëm për ta ndihmuar Ukrainën.

“Strategjia e sanksioneve dhe e dërgimit të armëve e zgjat luftën. Me fitoren e Betejës së Kievit, ukrainasit na shpëtuan ne nga pikëpamja e sigurisë, por edhe dinjitetin tonë. Por lufta s’ka mbaruar. Ne nuk duhet të besojmë që ky është skenar hollivudian që do të ketë një fund të mirë. Aktualisht po japim atë që i duhet Ukrainës për të mbijetuar, por jo atë që i duhet për të fituar.

Ne jemi shumë të vetëdijshëm se nëse sipas ndonjë interpretimi, rezultati i kësaj lufte do jetë një fitore e Putinit, atëherë do jemi në telashe të mëdha. Ndoshta jo në një ditë, dhe as në 1 vit, por nga një këndvështrim brezash… kjo mund të nënkuptonte zhdukjen fizike të kombit tonë”- thekson ai.

Sipas Reinsalu më shumë armë dhe më shumë sanksione mund të ndihmojnë në fitimin e luftës aktuale, ndërsa vetëm anëtarësimi i Ukrainës në NATO dhe BE mund të ndalë luftën e radhës. Si pjesë e pranisë së përparuar të NATO-s, në Estoni ndodhet aktualisht një njësi shumëkombëshe luftarake e përbërë nga 2200 trupa nga Britania, Franca, Danimarka dhe Islanda.

Letonia dhe Lituania janë ndër vendet e tjera të NATO-s ku ndodhen njësi të ngjashme shtesë në kufijtë lindorë të aleancës. “Më shumë trupa amerikane në Evropë, do të ndihmonin. Gjatë sundimit të liderit të fundit sovjetik, Mikhail Gorbachev në Evropë kishte rreth 300.000 trupa amerikane. Dhe Gorbachev ishte shumë më i parashikueshëm dhe paqësor se Putini. Unë e përshëndes SHBA-në për shtimin e pranisë së saj, por ka ende 100.000 trupa në Evropë”- nënvizon shefi i diplomacisë estoneze.

Reinsalu kërkon uljen e kufirit të çmimit mbi naftën dhe gazin rus, shtimin e sanksioneve për zyrtarët rusë dhe thellimin e izolimit politik të Rusisë. Estonia bën thirrje që Perëndimi të tregohet “shumë i kujdesshëm” në lidhje me bisedimet për paqe.

“Disa nga partnerët tanë thonë se nëse do të shohim një ngërç të afërt në fushën e betejës, ndoshta duhet kthyer në tryezën e negociatave. Por ne mendojmë se kjo qasje s’do të sjellë paqe të qëndrueshme në Evropë apo Ukrainë. Rusët do të jenë përherë të rrezikshëm për ne estonezët. Por ata përbëjnë një kërcënim ekzistencial edhe për NATO-n”- thekson ai. /albeu.com

Marrë me shkurtime


Shtuar 6.03.2023 09:48