EMRI/ Sulmohet komisariati i Elbasanit, një person i vë flakën dritares së ankesave (VIDEO)

Një incident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Komisariatin e Elbasanit. Bëhet me dije se një person I ka vënë zjarrin një dritareje të komisariatit, asaj të ankesave të qytetarëve.

Nga zjarri është rrezikuar jeta e 2 punonjësve që punojnë në sallën e cila quhet “Salla 60”, duke hedhur benzinë e më pas duke ndezur zjarrin.

Autori i kësaj ngjarjeje, Aurel Islam Latifi, 33 vjeç është ndaluar nga policia dhe dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur në momentin kur ka sulmuar komisariatin.

Gjithashtu dyshohet se ai vuan nga problemet e shëndetit mendor.

Njoftimi i policisë:

Elbasan/Informacion paraprak

Rreth orës 18.30, shtetasi A. L., 33 vjeç, banues në Elbasan, ka hedhur një shishe me lëndë djegëse te zyra e informacionit në Komisariatin e Policisë Elbasan, të cilën e ka ndezur dhe është larguar me vrap.

Efektivët e Policisë menjëherë kanë fikur zjarrin dhe kanë kapur autorin e dyshuar i cili, nga veprimet paraprake dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Nën drejtimin e Prokurorisë grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe kryerjen e veprimeve procedurale për veprën penale “Shkatërrim i pronës me zjarr”./albeu.com


Shtuar 17.12.2022 19:27