Vjosa Osmani uron qytetarët për miratimin e vendimit për liberalizimin e vizave në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani reagpo menjëherë pasi Parlamenti Evropian miratoi vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Miratimi i vendimit u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

Për rrjedhojë Osmani tha se ky vendim final është fitore edhe për demokracinë në Europë dhe jo vetëm për Kosovën. Osmani tha se meritë për këtë ka populli i Kosovës.

“Vendimi i sotëm final për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është fitore, jo vetëm për vendin tonë, por për vetë demokracinë dhe unitetin në Evropë. Ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar përgjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme”.

Osmani tha se nga data kur qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm do të ndihen të barabartë me popujt tjerë europianë.

“Më 1 janar 2024, qytetarët tanë më në fund do të ndihen të barabartë me popujt tjerë evropian, për të lëvizur lirshëm në kontinentin që ata i përkasin, e për të cilin kanë kontribuar ndër shekuj. Tanimë, lëvizja në shtetet evropiane është më e lehtë, familjet tona janë më afër dhe mundësitë për avancim e bashkëpunim më të mëdha”.


Shtuar 18.04.2023 13:47