Rritja e moshës së pensionit, qeveria franceze nuk tërhiqet: Grevat nuk mund të dëmtojnë ekonominë

Grevat e fundit që po mbahen në Francë për të kundërshtuar planet e Qeverisë që të rrisë moshën e pensionimit, nuk mund të dëmtojnë ekonominë shtetërore, ka thënë ministri francez i Ekonomisë, Bruno Le Maire për televizionin Bloomberg.

“Nuk mendoj se grevat do të kenë ndikim shumë të madh ekonomik në ekonominë franceze”, ka thënë Le Maire në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke shtuar se ekonomia franceze është “duke ia dalë mirë”.

Më shumë se një milion persona kanë marshuar nëpër qytetet franceze të enjten për të kundërshtuar planet e presidentit Emmanuel Macron për reformat në pensione.

Sindikatat e punëtorëve kanë bërë thirrje për protesta të reja më 31 janar, mirëpo Qeveria nuk ka treguar shenja të zmbrapsjes.

“Ne besojmë fuqishëm se kjo reformë është e nevojshme për Francën. Është mënyra më e mirë për të siguruar më shumë prosperitet për popullin francez”, ka thënë Le Maire.

Megjithatë, ia ka thënë se Qeveria do të ketë mendje “të hapur” sa u përket diskutimeve për ndryshimeve eventuale.

Plani për reforma në pensione parasheh rritjen e moshës së pensionimit nga 62, sa është tani, në 64 vjeç.

Reforma duhet të miratohet në Parlament, ku Macroni ka humbur shumicën, por që shpreson në miratim me mbështetjen e konservatorëve. /REL


Shtuar 20.01.2023 09:50