Thyu tabutë e sistemit me vajzën e ambasadorit italian dhe përfundoi te “313”, Ernest Tushe: Më spiunuan shokët e mi

Ishte viti 1978. Djaloshi 18-vjeçar nga Tirana, Ernest Tushe, guxoi të dashurojë në “Rrugën e Ambasadave”, – siç njihej ndryshe në kohën e periudhës komuniste blloku ku ishin dislokuar banesat e trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë.

Por djaloshi i rrugës “Vasil Shanto”, jo vetëm që ‘shigjetën e dashurisë’ e drejtoi mbi vajzat enigmatike dhe të survejuara, por ai goditi pikërisht mbi atë të kryediplomatit të ambasadës italiane të asaj kohe, Xhuzepe Sferlazzo.

Pak kohë pas lidhjes së Nest Tushes me Karla Sferlazzo, jehona kaloi dyert dhe rrugët e lagjes ku lindi dashuria platonike. Çudia, për faktin se një djalosh guxoi të “gjuajë” në rrugën e ndaluar, mori jehonë në të gjithë Tiranën. Tashmë, ai fakt ishte mësuar edhe në shtëpinë e studentit të Ekonomikut.

Kështu, një vit pas asaj lidhjeje, – kur një fakt të tillë e konstatonte gjithë Tirana, aq sa filloi ta shikonte jo më me çudi por me zili, – dhe pikërisht në 11 nëntor 1980, sapo doli nga dyert e ambasadës ku kishte përcjellë të dashurin e tij Karla, pas një xhiroje që kishin bërë në bulevardin kryesor të Kryeqytetit, u prangos dhunshëm nga Sigurimi i Shtetit, për t’u dërguar me urgjencë në qelitë e burgut të frikshëm, që mbante numrin e njohur 313.

“Dosjet duhet të hapen të gjitha pa përjashtim”. Kjo ishte deklarata e Ernest Tushes, i cili u burgos pasi u dashurua me vajzën e ambasadorit italian në Tiranë.

“Edhe kur e kërkon dosjen tënde, nuk të japin emrat e spiunëve të tu, por vetëm pseudonimin. Gjatë kohës që ti fillon dhe kthehesh në kohë, me kë kam folur, fillon të rikujtohet. Mirëpo unë jam kundër këtij debati. Ky është vetëm debat politik që i shërben vetëm klasave politike,” – u shpreh Tushe.

Si ish-i përndjekur politik, ai tha se i intereson hapja e dosjeve dhe jo debati.

Ai personalisht tha se e ka marrë dosjen e tij kur Autoriteti i Dosjeve nuk ishte ngritur fare. Tushe tha se është dënuar kur ka qenë 19 vjeç dhe spiunët e tij kanë qenë miqtë që nuk ishin të pranishëm në sallën e gjyqit kur u dënua