Ti nuk do të blesh maskë!

“Je në listën e zezë si klient. Ty nuk do të shesim maskë”.
Shkak për këtë përgjigje refuzuese të njërës prej së paku 35 “kompanive” që ofrojnë maska përmes Facebook dhe Instagram ishin dy pyetje. Mora përgjigjen vetëm për një.

“Nga java e ardhshme maskat do të jenë të detyrueshme për të dalë nga shtëpia”- ky ishte njoftimi në postimin në Facebook.

Përgjigja se nga e kanë marrë këtë lajm erdhi e menjëhershme: “nga vetë njerëzit”.
Dy orë më pas ky njoftim (që është shfaqur si postim “sponsored” për një periudhë prej më shumë se 10 ditësh) u hoq nga postimi, por pyetja që më vendosi në listën e zezë mbeti pa përgjigje, në fakt u pasua me një pyetje tjetër: “po ju po bëni hetuesi?”

-Mund të më thoni kush është prodhuesi/importuesi dhe ndonjë informacion tjetër shtesë për deklaratën e konfirmitetit?

Këtu erdhi momenti që u ktheva në kliente e padëshiruar.

Prej 7 javësh, konsumatorët bombardohen në rrjete sociale me ofertat për maska dhe paralajmërimi se mbajtja e tyre do të jetë e detyrueshme.
Nga një kontroll jo shterues në rrjetet sociale më të përdorura në Shqipëri, Facebook dhe Instagram kemi numëruar 35 “kompani” që ofrojnë maska.

Ku prodhohen dhe mbi të gjitha kush jep garanci për blerjet e maskave on line?

Bazuar mbi ligjin për të drejtën e informimit të publikut me dokumente zyrtare iu drejtuam Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut me një pyetje të vetme: A kanë ushtruar kontroll këto javë për maskat që gjenden në treg?

Ky institucion, në fushën e kompetencave të tij ka mbikqyrjen dhe kontrollimin e produkteve joushqimore që vendosen në tregun shqiptar dhe bëhen të disponueshme për konsumatorët, në përputhje me ligjin 10489/2011 “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”, ku përfshihen dhe paisjet e mbrojtjes personale, në fjalë të thjeshta maskat e përdorura gjerësisht gjatë këtyre ditëve.

Në përgjigjen e tij, ky inspektorat sqaron që të vetmet paisje mbrojtëse (maska) të cilat përfshihen në kompetencat e tij, janë ato PPE (Maskat e Mbrojtjes Personale), të rregulluara rreptësishtë në këtë periudhë pandemie globale nga Direktiva Evropiane 2016/425, Vendimi i Këshillit të Ministrave 1053/2015 “Për paisjet e mbrojtjes personale” dhe Ligji për tregtimin dhe mbikëqyrjen, ndërkohë që maskat me karakter mjekësor, të rregulluara imtësisht nga direktiva të tjera të BE-së, janë kompetencë e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor.

Edhe vetë ky institucion e pranon se aktualisht zinxhiri i prodhimit dhe furnizimit me paisje mbrojtëse personale është nën një trysni të rëndë, dhe për këtë arsye, bazuar dhe në rekomandimet e autoriteteve përkatëse të Bashkimit Evropian, ka lejuar prodhimin, edhe në mënyrë artizanale, dhe tregtimin e këtyre paisjeve, duke pezulluar kontrollet mbi cilësinë gjatë fazës së prodhimit të tyre nga operatorët vendas, por duke vijuar kontrollet e rrepta mbi cilësinë e produkteve të importuara, me një fokus të veçantë tek produktet të cilat janë destinuar për përdorim nga stafi mjeksor.

Në këtë situatë, përgjegjësia mbi cilësinë e produkteve që përdoren nga konsumatori mbetët mbi prodhuesit, të cilët janë të inkurajuar, por jo të detyruar, të ndjekin standarded minimale të cilësisë të publikuara në faqen zyrtare të ISHMT dhe vetë konsumatori, i cili merr përsipër rrezikun e përdorimit të tyre, duke qenë se vetë nga ky institucion, këto produkte artizanale klasifikohen si një “barrierë minimale sigurie”kundrejt përhapjes së COVID-19.

Shqipëria është pjesë e Europol për kontrollet e tregëtisë online dhe deri tani nuk kemi parë njoftime për kontroll apo masa nga instancat shtetërore për të gjitha faqet të cilat tregëtojnë online.

Maska shiten edhe në farmaci edhe në markete. Me përjashtim të pak rasteve në farmaci, maskat nuk dihet se kush i prodhon dhe kush i çertifikon.
“Në farmaci mungon informacioni lidhur me kategoritë e maskave, dallimin e maskave që janë nën kategorinë e pajisjeve mjekësore dhe atyre që janë Pajisje Mbrojtese Personale, (PPP) deklaraten e konformitetit, markimin CE” – thotë Anila Kasmi Jani, eksperte legjislacioni e tregtimit dhe mbikqyrjes së tregut të produketeve.

Në farmaci tregtimi duket më i sigurtë se në internet, të paktën atë që të përgjigjet e ke përballë, por sërish pikëpyetjet për sigurinë e produktit mbeten.

“Në jo pak raste në vendet e BE-së janë konstatuar raste të certifikatave të falsifikuara nga prodhuesit e maskave, që nuk plotësojnë kërkesat thelbësore të sigurisë, dhe për pasojë janë kthyer mbrapsht dhe nuk janë vendosur në tregun evropian.” – thotë Anila Jani.

Fakt është se në kryeqytet gjithnjë e më shumë sheh njerëz që mbajnë maska.
“E përdor maskën për të mbrojtur veten dhe të tjerët rreth meje”- tha një qytetar – “ndihem më i siguritë”.
Çmimi maskave varion nga 100 deri në 800 lek
Maskat ofrohen një përdorimshme dhe shumë përdorimshme. Një maskë e blerë në farmaci në Tiranë me çmimin 300 lekë është e shoqëruar me një letër të printuar me disa këshilla.

Funksioni: antibakteriale, antipluhur, antismog
Aplikimi: në ambiente të hapura dhe të mbyllura
Përbërja: pelhure 100% pambuk nga të dy faqet me filtër antibakterial në brendësi.
Mirëmbajtja: të lahet në 90 gradë në lavatrice
Higjenizimi: të spërkatet me alkool etilik ose të hekuroset me avull para se të vendoset në fytyrë…

Epidemiologu Alimehmeti thotë se maskat janë vetëm një përdorimshme.

“Nuk ekzistojnë maskat që përdoren disa herë. Nëse janë të këtilla, cilësia e tyre është e njëjtë me atë që mund të prodhoni edhe vetë në kushte shtëpie. Duke qenë se këto nuk janë maska mjekësore, pasi maskat mjekësore janë gjithmonë vetëm me një përdorim, atëherë këto maska nuk i çertifikon askush pasi nuk i nënshtrohen rregulloreve të pajisjeve mjekësore”.

E vërteta është se shumica e maskave që ofrohen sot në treg dhe online pretendohet të jenë shumë përdorimshe.

A ka rrezik përdorimi i këtyre maskave?

“Rreziqet nuk dihen, pasi janë maska të pastudiuara. Çfarëdo efikasiteti të raportojnë, ato janë vlera spekulative të orientuara vetëm drejt shitjes. Asnjë organ zyrtar nuk del garant për këto maska.” – thotë Alimehmeti

Disa qytetarë kanë preferuar ta zgjidhin vetë problemin duke e përgatitur atë në kushtet e shtëpisë, disa i referohen përvojës, disa mësimeve që marrin on line. Për maskat “thembra e Akilit” mbetet filtrimi.
“Prova e filtrimit është shumë e thjeshtë. Pasi e keni vendosur maskën, mbani para fytyrës një çakmak të ndezur dhe fryni fort. Nëse flaka e çakmakut nuk lëviz, maska ka efikasitet”- thotë Alimehmeti

Pikë e rëndësishme është se maskat e bëra vetë mund të ripërdoren pas larjes në lavatriçe me të paktën 60 gradë dhe të paktën për 40 minuta.

“Këshilla është të prodhoni 4-5 maska të këtilla kur dilni, dhe t’i ndërroni sa herë bëhen pis, lagështohen apo mendoni se janë ndotur. Në këto raste lani duart përpara heqjes së maskës, kujdes mos prekni sytë, hundën dhe gojën, hiqni maskën dhe vendoseni në një qese plastike, lani duart sërish dhe vendosni maskën tjetër.” – këshillon mjeku epidemolog Alimehmeti.

Në televizione, fushata ndërgjegjësuese kundër COVID-19 drejton publikun:

“Përdorni maskën vetëm nëse jeni të sëmurë, apo dyshoni se ata pranë jush janë të sëmurë”
Edhe sot, Organizata Botërore e Shëndetësisë, në faqen e saj, nuk këshillon përdorim masiv duke e lënë këtë gjë në kompetencë të autoriteteve vendore.
Edhe specialistët, edhe autoritet nuk kanë qenë të qartë nëse duhen apo nuk duhen përdorur masivisht maskat. Fakti është se për momentin maskat janë malli më i kërkuar.

A mund prodhohen maskat në Shqipëri?
Nëse i beson komunikimit me “kompanitë” online ne tashmë kemi fabrika që prodhojnë në Tiranë, Elbasan, Durrës… Por ekspertët bëjnë thirrje për kujdes.
“Prodhuesit duhet të jenë të mbështetur nga staf profesionistësh me njohuritë teknike e shkencore për dizenjimin e maskave që plotësojnë kërkesat e detyrueshme thelbësore të sigurisë.” thotë Anila Jani, dhe shton se ka fluks kërkesash për certifikimin e maskave nga organizma evropian që janë të kufizuar në numër.

Kontaktuam gjithësej 28 faqe online në Facebook dhe Instagram, të cilat tregëtojnë maska online, me interesin për të blerë maska, nga ku iu drejtuam dhe pyetjen nëse maskat ishin të certifikuara. Nga këta shitës, 6 nuk dhanë asnjë përgjigje, 10 prej tyre u shprehën se maskat të cilat tregëtonin ishin të certifikuara dhe 12 prej tyre nuk kishin asnjë certifikim.

Një ndër përgjigjet e mara nga kompanitë të cilat pohuan se nuk ekziston ende një çertifikim zyrtar mbi maskat që shiten, parashtron:

“Përshëndetje, faleminderit për interesimin dhe për pyetjen që ngrini. Atëherë, maskat janë artizanale të prodhuara në vend nga punonjëset tona. Nuk janë të certifikuara sepse ne nuk dimë të ketë një autoritet në Shqipëri që i certifikon, pasi nuk janë mjekësore. Maskat janë material pambuk (jo napë) me disa shtresa si dhe shtresë e cilat nuk lejon depërtimin e spërklave , i kemi ndërtuar me shumë shtresa për këtë arsye.

Në dijeninë tonë edhe Ministrja e Shëndetësisë, është shprehur se do të lejojnë maska të përpunuara prej cope dhe jo ato mjekësore që duhet të jenë në dispozicion për stafet mjekësore.”

Vetëm disa ditë pasi kontaktuam shitësit e ndryshëm online dhe i pyetëm nëse maskat ishin të certifikuara apo jo, vumë re që disa prej këtyre faqeve kishin ndryshuar profilin e tyre dhe kishin ndaluar shitjen e maskave online.

Përtej frikës së blerjes së produkteve të cilat nuk plotësojnë standardet e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të përdoruesve të tyre, një element tjetër shqetësues është fakti që pothuajse asnjë nga shitësit online të këtyre produkteve nuk ka të publikuar informacion tregtar për identifikimin e tyre. Eshtë pothuajse e pamundur të vërtetosh statusin tregtar të këtyre kompanive, ekspertizën e tyre në prodhimin dhe tregtimin e këtyre produkteve specifike. Pyetja, çfarë e siguron qytetarin për cilësinë e produktit të blerë mbetet pa përgjigje.

Në rrugë sheh gjithnjë e më tepër njerëz që mbajnë maskë. Edhe ne jemi gati të blejmë një maskë kudo, në farmaci, në market, në Instagram dhe në Facebook, vetëm me një kusht: duam përgjigje për pyetjen:

-Mund të më thoni kush është prodhuesi/importuesi?

Në mungesë të informacionit nga ana e shitësve këtë përgjigje mund ta japë edhe Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes Tregut, Doganat, Agjencia Kombëtare e Pajisjeve së Barnave dhe Inspektorati Shtetëror Shëndetësor!/ Jona Kaso-Qendra për gazetari cilësore/


Shtuar 12.05.2020 13:35