Zelensky: Ftesa për NATO do të ishte ideale

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e cilësoi si “hap të rëndësishëm” thjeshtëzimin e procesit të anëtarësimit të Ukrainës në NATO.

Ftesa për anëtarësim “do të ishte ideale”, tha ai, por shtoi se, së paku, mund të shohë disa “pika specifike” që e sjellin Ukrainën më pranë NATO-s.

Zelensky po merr pjesë në ditën e dytë të samitit të aleancës ushtarake, në Vilnius të Lituanisë.

Një ditë më herët, udhëheqësit e të 31 vendeve anëtare u pajtuan që Ukraina të ftohet në NATO “kur ata të bien dakord” dhe “të plotësohen kushtet”.

Ata u dakorduan edhe për thjeshtëzimin e procesit të anëtarësimit të saj, duke i hequr një plan anëtarësimi që kërkon përmbushjen e reformave të caktuara politike dhe ekonomike.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Zelensky tha se e kupton se përse disa aleatë të NATO-s “i druhen” anëtarësimit të Ukrainës në aleancë.

“… sepse, askush nuk do që të ketë një luftë botërore”, tha Zelensky, vendi i të cilit ndodhet nën pushtimin rus qysh në shkurt të vitit të kaluar.

Me rregulloren e saj, NATO-ja e trajton një sulm të armatosur ndaj një vendi anëtar si sulm ndaj të gjithëve – që do të thotë se aleatët janë të detyruar ta ndihmojnë njëri-tjetrin.

Stoltenberg, duke folur përkrah Zelenskyt, tha se “Ukraina është më afër NATO-s se kurrë”.

Ai tha se presidenti rus, Vladimir Putin, e nënvlerësoi guximin e popullit të Ukrainës dhe të forcave të saj të armatosura, ashtu si edhe vendosmërinë e udhëheqjes së vendit.

Stoltenberg tha se Putin, gjithashtu, e nënvlerësoi unitetin dhe forcën e anëtarëve të NATO-s, përballë pushtimit të tij.

Ai tha se aleanca ushtarake do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën për aq kohë sa të duhet.

Në ditën e dytë të samitit të NATO-s në Vilnius u mbajt edhe sesioni inaugurues i Këshillit NATO-Ukrainë.

Stoltenberg e vlerësoi këtë si një kapitull të ri në marrëdhëniet mes aleancës dhe Ukrainës.

“Sot takohemi si të barabartë. Mezi pres ditën kur do të takohemi si aleatë”, tha ai.

G7-ta, apo grupi i vendeve më të industrializuara, pritet të shpallë gjatë ditës në Vilnius garanci të reja sigurie për Ukrainën.

Sipas Stoltenbergut, këto garanci përfshijnë marrëveshje për sigurinë e Ukrainës, “në mënyrë që historia të mos përsëritet”.

“Prandaj, mirëpres angazhimin e shumë aleatëve për të ofruar ndihmë afatgjate të sigurisë për Ukrainën. Kjo do ta pengojë çdo agresion të ardhshëm rus, pas përfundimit të kësaj lufte”, tha shefi i NATO-s.

Ukraina është duke trokitur në dyert e NATO-s qysh në vitin 2008, kur i është premtuar se një ditë do të jetë anëtare.

Zelensky, të martën, ishte më kritik ndaj aleancës, duke thënë se është “absurde” që Ukraina nuk e ka një afat kohor për ftesën apo anëtarësimin në aleancë./rel


Shtuar 12.07.2023 14:58

Tags: