U arrestua sot në Kakavijë, i riu vrasës me pagesë, akuzohet për ekzekutimin e Rigert Dervishit në Pire

Policia greke njoftoi ditën e sotme kapjen e një shqiptari në doganën e Kakavijës, i cili rezulton me urdhër arresti nga Prokuroria e Pireut për veprën penale “bashkëpunim në vrasje me dashje”. Policia greke nuk dha detaje më tepër, por u shpreh si shqiptari kishte tentuar të hynte në Greqi dje pasdite dhe ishte ndaluar nga sektori i verifikimit te pasaportave dhe policia e Janinës.

“BalkanWeb” mëson se shqiptari i arrestuar është 35 vjeç dhe rezultonte në kërkim për vrasjen e shqiptarit Rigert Dervishi, 32 vjeç, ndodhur më 13 nëntor 2016 në lagjen “Keratsini” të Pireut. Për këtë ngjarje policia greke identifikoi dy autorë shqiptarë, njëri prej të cilëve, aktualisht 36 vjeç, në momentin e identifikimit në vitin 2018, rezultoi të ndodhej në burg për çështje droge. Sipas policisë greke, viktima Rigert Dervishi është qëlluar nga dy vrasës me pagesë gabimisht, pasi objektiv ishte baxhanaku i tij, shqiptari Th. V., sot 42 vjeç. Dervishi kishte pikasur dy atentatorët teksa i ruanin banesën dhe ka dalë me automjet duke i ndjekur. Dy vrasësit teksa kanë parë viktimën që po i ndiqte, kanë menduar se ai ishte objektivi dhe kanë hapur zjarr ndaj tij. Zyrtarisht policia greke tha se vrasja ishte porositur nga një shtetas që ndodhet në Shqipëri, i cili ishte dënuar me parë për vrasjen e një pronari karburanti ne Shqipëri se bashku me baxhanakun e Dervishit. Pas daljes nga burgu, porositësi kishte filluar konfliktet me baxhanakun e viktimës dhe kishte porositur vrasjen e tij.

Operacioni “Kimera” për kapjen e bandës se “Gentit” qe rezultoi me arrestimin e 59 personave dhe shpalljen në kërkim te 46 te tjerëve, kryesisht shtetas shqiptare nga Vlora, Saranda, Delvina, Tepelena, Memaliaj, Mallakastra, Patosi, Korça, Maliqi, Skrapari, Cërriku, Kuçova, Pogradeci, Tirana, Durrësi, Rrësheni qe shpërndanin droge ne Greqi u realizua ne fund nëntori 2016.

Por, edhe pas operacionit policia greke deklaroi se kishte marrë indice nga përgjimet për vrasjen e Rigert Dervishit, për shkak të larjes së hesapeve të drogës së baxhanakut te tij, zyrtarisht vrasja u shpall e zbardhur ne vitin 2018.