Orban thirrje amerikanëve: Votoni Donald Trump, që t’i jap fund luftës në Ukrainë

Kryeministri hungarez Viktor Orban tha në një intervistë me ish-prezantuesin e Fox News, Tucker Carlson, se e vetmja rrugë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë do të ishte rizgjedhja e Donald Trump si president i SHBA-së.

Në intervistën, të postuar të mërkurën në faqen e Carlson-it në Twitter, Orban vlerësoi politikën e jashtme të Trump, ndërsa kritikoi administratën e Presidentit Joe Biden dhe qasjen e saj ndaj luftës.

Megjithëse Trump përballet me akuza penale për përpjekje për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020, kthimi i ish-presidentit në detyrë do të ishte “rruga e vetme për të dalë” nga konflikti, argumentoi Orban, duke e quajtur “gënjeshtër” çdo sugjerim se Ukraina mund të mposhtte Rusinë.

“Rusët janë shumë më të fortë, shumë më të shumtë se ukrainasit”, tha kryeministri hungarez. “Zgjidhni përsëri Trumpin. … Trump është njeriu që mund të shpëtojë botën perëndimore”, deklaroi ai.

Në intervistën me Carlson, Orban kritikoi paditë e shumta ndaj Trump, të cilat përfshijnë gjithashtu keqpërdorimin e dyshuar të dokumenteve të klasifikuara.

“Për të përdorur sistemin e drejtësisë kundër kundërshtarëve politikë – në Hungari, mendoj se është e pamundur të imagjinohet”, tha ai. “Kjo është bërë nga komunistët. Është një metodologji shumë komuniste për ta bërë këtë”, deklaroi Orban.

Orban tha gjithashtu se do e konsiderojë si shkak për luftë, nëse dikush shkatërron gazsjellësin që kalon nga Rusia në Hungari dhe Serbi.


Shtuar 30.08.2023 17:11