Ukraina ngre alarmin: Ka nisur faza e dytë e pushtimit rus

Gjatë tre javëve të fundit, Kievi ka nënvizuar se Moska do të tentojë sërish deri në fund të shkurtit të sulmojë dhe pushtojë zonat, kryesisht në lindje të vendit, në një tentativë për të parandaluar dërgimin e tankeve perëndimore për Ukarinën.

Sipas asaj që transmetohet nga udhëheqja ushtarake e Ukrainës, që nga orët e para të mëngjesit të sotëm, Rusia ka goditur objektivat në të gjithë frontin lindor nga Kharkiv deri në luginën e Donbasit.

Ndryshimi i qëndrimit rus në terren, sipas ukrainasve, është i dukshëm nga intensiteti i goditjeve.
Në rajonin e Kharkivit, në veri të Ukrainës, forcat ruse kanë përdorur 70 raketa, ndërsa në Donbas aktualisht janë më shumë se 100.000 ushtarë rusë.

Rusia ka përqendruar përpjekjet kryesore në qytetin e Bakhmut, në rajonin e Donjetsk. Presidenti Zelensky e përshkroi situatën atje si tejet të vështirë dhe tha se po luftohej për çdo metër territor. “Situata në frontin e luftës, veçanërisht në rajonet e Donjetsk dhe Luhansk mbetet shumë e vështirë. Betejat po zhvillohen për çdo metër të tokës ukrainase.

Ukraina po konsumon predhat, me ritëm më të shpejtë nga ç’mund t’i prodhojë perëndimi dhe kërkon avionë lufte e raketa me rreze të gjatë për të përballuar ofensivën ruse e për të çliruar territorin e humbur.
Shtetet e bashkuara dhe NATO u zotuan se ndihma nuk do të mungojë, gjatë një takimi të ministrave të mbrojtjes në Bruksel.

“Presim një ofensivë të re madhore nga Rusia në pranverë. Ukraina po lufton prej një viti, prandaj do të bëjmë gjithçka të mundur për t’i siguruar municionet e nevojshme sa më shpejt”, tha Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin.
Sipas “Wall Street Journal”, ushtria amerikane po vlerëson mundësinë e dërgimit të mijëra armëve të sekuestruara dhe më shumë se 1 milion municione qe besohet se ishin të destinuara për milicitë e mbështetura nga Irani në Jemen.

Në një reagim të fundit, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrorv tha se politika e perëndimit për të transformuar Ukrainën në një bastion anti-rus, po arrin në një pikë pa kthim./Albeu.com/