A do ta braktisë Perëndimi Ukrainën nëse bie Bakhmut?

Nga Jason Jay Smart “Kyiv Post

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Sondazhet tregojnë se mbështetja perëndimore për Ukrainën në mbarë Evropën dhe në SHBA mbetet e fortë. Por në Kiev ka zëra se presidenca e Ukrainës, druhet se Perëndimi po e sheh me vëmendje fatin e Betejës së Bakhmut për të vendosur se çfarë do të bëjë më tej.

Nëse Rusia e merr qytetin, mund të jetë koha e duhur për të hequr dorë nga përkrahja e Ukrainës dhe për të nxitur një paqe të negociuar me Rusinë. Por a përputhen thashethemet me realitetin? Sipas ekspertëve perëndimorë me të cilët bisedoi “Kyiv Post”, është e qartë se Bakhmut nuk do të ndikojë në asnjë mënyrë vendimet e ardhshme të Perëndimit në lidhje me mbështetjen e Ukrainës.

Ish-nënkoloneli britanik Glen Grant, aktualisht ekspert i mbrojtjes me Fondacionin e Sigurisë Baltike thotë:”Bakhmut është politikisht i rëndësishëm për Rusinë, pasi Prigozhin ka premtuar se mund ta pushtojë atë. Për këtë arsye Zelensky beson se duke e mbajtur me çdo kush qytetin, ai mund të mposhtë Prigozhin dhe Wagner Group, dhe për këtë arsye të shqetësojë akoma më tej ushtrinë ruse… Është kjo arsyeja pse për Bakhmut ka një vlerësim të rremë”.

Por a do ta frenonte ndonjë vend përkrahjen e Ukrainës nëse bie Bakhmut në duart e rusëve? “Mbretëria e Bashkuar absolutisht që jo. Po ashtu edhe vendet baltike, Polonia, Finlanda, Suedia dhe Gjermania”- theksoi më tej eksperti i mbrojtjes.

Zëvendësministri i Jashtëm i Lituanisë, Mantas Adomenas, deklaron se këto thashetheme janë “tërësisht të pabaza”. Ai shton se ka pasur së fundmi bisedime të gjera mbi Ukrainën në Uashington, ku nuk u la të kuptohet asgjë e tillë. Përkundrazi, tërheqja taktike e Ukrainës nga Bakhmuti do të kuptohej plotësisht, madje do të miratohej.

Ndërkohë George Barros nga Instituti për Studimin e Luftës (ISW) mendon se “ndihma ushtarake perëndimore për Ukrainën, varet nga ruajtja e mbrojtjes së suksesshme të Ukrainës në Bakhmut”. Sipas tij Bakhmut nuk është një qytet strategjik, dhe ai ka pak rëndësi operacionale.

“Për Ukrainën, suksesi nuk qëndron tek mbajtja e një qyteti me çdo kusht. Por ata po e përdorin këtë qytet për t’i shkaktuar sa më shumë humbje rusëve. Dhe kjo gjakderdhje do t’i japë avantazh Ukrainën në një periudhë afatgjatë. Edhe nëse forcat ukrainase marrin vendimin për t’u tërhequr nga qyteti, kjo do të ishte një humbje taktike, por një fitore operacionale”- shton ai.

Nga ana tjetër Michael McFaul, ish-ambasador i SHBA-së në Moskë dhe profesor i Universitetit Stanford, u shpreh shkurtimisht se fati i Bakhmut nuk do të ndikonte në mbështetjen e Ukrainës nga Amerika dhe Evropa.

Garry Kasparov, ish-kampioni botëror në shah në kohën e Bashkimit Sovjetik, dhe një kundërshtar i hapur i Vladimir Putinit, ka udhëtuar shpesh muajt e fundit nga SHBA-ja në Evropë, për të takuar liderët politikë me synim rritur mbështetjen për Ukrainën. Ai më thotë se nuk është në dijeni të planeve specifike, por “dyshon” se mund të ketë një lloj ndikimi.

Amerikani Malcolm Nance, që ka kaluar 3 dekada në radhët e inteligjencës ushtarake dhe që ka qenë pjesë e Legjionin e Huaj të Ukrainës, thotë se nuk do të ketë asnjë ndikim. “Ukraina nuk është një qytet i vogël. Ukraina nuk është një fshat. Dhe as një qytet i vogël si Kramatorsk. Nëse do të ishte i vërtetë një thashethem i tillë, atëherë pse Perëndimi nuk ndaloi së furnizuari me armë Ukrainën pasi Severdonetsk dhe Lysychansk ranë në duart e rusëve? Bakhmut është një varrezë për mercenarët e Wagner. Por është gjithashtu një parapërgatitje për ofensivën ukrainase të pranverës”- thotë Nance.

“Unë nuk jam pjesë e qeverisë amerikane. Por duke biseduar me shumë figura ushtarake globale që mbështesin Ukrainën, nuk mendoj se ka ndonjë lidhje midis asaj që ndodh në Bakhmut dhe mbështetjes perëndimore. Mendoj se ky është një mit për të justifikuar mbajtjen e qytetit, që në fakt nuk ofron më asnjë avantazh taktik që të mbahet më tej, pasi është shkatërruar plotësisht”- argumenton David Plaster, një ushtarak veteran amerikan, që ka trajnuar trupat në Ukrainë që para shpërthimit të luftës.

Eksperti lituanez Gintatre Narkaveciute u përgjigj:”Aleatët perëndimorë janë të përkushtuar që Ukraina të rikthehet në kufijtë e saj të vitit 1991, dhe kjo nuk është diçka që varet nga Beteja e Bakhmutit. Ne do të jemi gjithmonë aty për të ndihmuar Ukrainën”.

Darius Jurgelevicius, ishte një diplomat karriere përpara se të bëhej zëvendësdrejtor i shërbimit të inteligjencës lituaneze. Sipas tij nga këndvështrimi ushtarak, mbi rëndësinë e Bakhmut ka pasur vlerësime të ndryshme. “Nëse ndodh rënia e tij në duart e rusëve, nuk do të ketë ndonjë ndryshim në qasjen perëndimore ndaj kësaj lufte. Do të ishte vetëm një humbje e dhimbshme, por jo një disfatë. Mendoj se askush në Perëndim nuk do të konsideronte ushtrimin e presionit ndaj Ukrainës për të pranuar një armëpushim, me kushtin që një pjesë e territorit të pushtohet dhe aneksohet nga Moska”- shprehet ai.

“Unë mendoj se këto zëra janë absurde. Bakhmut është një betejë e përgjakshme që po i dhjeton forcat ruse në atë zonë. Nëse do të humbiste Bakhmut, Perëndimi do të shtonte ndihmën për Ukrainën”- mendon Chuck Pfarrer, analist ushtarak, ish-oficer i Marinës së SHBA-së.

Edhe Ivana Stradner, studiuese në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, ishte e drejtpërdrejtë kur theksoi se “nuk mendoj se Perëndimi do të ndalë mbështetjen për Ukrainën nëse bie Bakhmut”. Sipas saj zërat për të kundërtën janë shumë tipike për taktikat e luftës informative që bën Moska.

“Nëse Bakhmut bie në duart e rusëve, Rusia do të nisë fushata propagandistike që synojnë ekstremin e djathtë dhe të majtë në Ukrainë me mesazhe të tilla si “qeveria juaj po harxhon para për Ukrainën, por Rusia po fiton”. Ka të ngjarë që të flasin gjithashtu edhe mbi mënyrën sesi ukrainasit po përdoren nga Perëndimi si mish për top, duke theksuar se Ukraina duhet të negociojë një marrëveshje paqeje me Rusinë”- thotë ajo.

Për këtë arsye, Stradner thotë se është e rëndësishme që shërbimet e huaja t’i paraprijnë fushatave të tilla, dhe të përgatisin një fushatë sulmuese për t’iu kundërvënë Rusisë në hapësirën e informacionit. Kushdo që kontrollon hapësirën e informacionit do ta fitojë këtë luftë, sepse perceptimi publik ka një rëndësi të madhe.

Shënim:Jason Jay Smart, këshilltar politik i cili ka jetuar dhe punuar në Ukrainë, Moldavi, Kirgistan, Kazakistan, Rusi dhe Amerikën Latine. Për shkak të punës së tij me opozitën demokratike ndaj Vladimir Putin, Smart u shpall ‘non grata’ për gjithë jetën nga Rusia në vitin 2010.


Shtuar 7.04.2023 13:51