“Do të bashkëpunojmë me drejtësinë”, reagon presidentja e Parlamentit Europian pas skandalit për ryshfet dhe korrupison

Pas arrestimit të katër eurodeputetëve, përfshirë edhe nënkryetaren greke të Parlamentit Evropian, Eva Kaili, për korrupsion, ka reaguar presidentja e këtij institucionini, Roberta Metsola.

Zyrtarja e lartë e Strasburgut deklaroi se parlamenti është i angazhuar të bashkëpunojë me drejtësinë për të luftuar korrupsionin.

“Parlamenti europian qëndron fort kundër korrupsionit. Në këtë fazë, ne nuk mund të komentojmë për hetimet që janë ende në vazhdim, përveçse të konfirmojmë se do të bashkëpunojmë plotësisht me të gjitha autoritetet përkatëse ligj zbatuese dhe gjyqësore. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar drejtësinë.”

Një ditë më parë zyra e Prokurorisë Federale të Belgjikës njoftoi se Katër persona, të cilësuar si mjaft “aktivë në Parlamentin Evropian” janë arrestuar mes dyshimeve për korrupsion në një vend të Gjirit Persik.

Eurodeputetja socialiste greke, Eva Kaili, e cila është edhe një nga 14 nënkryetarët e Parlamentit Evropian, është marrë në pyetje në Bruksel të premten në mbrëmje.

Median thonë se ajo po hetohet si e dyshuar për një çështje të madhe korrupsioni lidhur me Botërorin e Katarit 2022.

Me njëherë pas publikimit të lajmit, kreu i Pasok-ut Nikos Androulakis, njëkohësisht eurodeputet, ka reaguar menjëherë dhe e ka përjashtuar atë nga radhët e Partisës Socialiste të Greqisë.

Tre të arrestuarit e tjerë janë Luca Visentini, Sekretar i Përgjithshëm i sapozgjedhur i Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave, ish-deputeti Pier-Antonio Panzeri dhe Francesco Giorgi bashkëshorti italian i eurodeputetes Kaili.

Siç theksojnë mediat belge e vetmja mënyrë për të arrestuar një eurodeputet që mbrohet nga imuniteti i tij është arrestimi në flagrancë. Referuar burimeve të mediave europiane, zyrtarët e Katarit ishin përpjekur të korruptonin një eurodeputet socialist italian, i cili ishte anëtar i Parlamentit Evropian nga viti 2004 deri në 2019. Hetuesit dyshojnë se një shtet i Gjirit tentoi të ndikojë në vendimet politike dhe ekonomike të Parlamentit Evropian. Besohet se shuma të konsiderueshme parash ose dhurata u janë shpërndarë europarlamentarëve me pozicione politike ose strategjike.

Gjatë kontrolleve të policisë janë kryer kontrolle në 16 shtëpi dhe janë konfiskuar 600 mijë euro para në dorë dhe celularë.