Takimi Osmani-Lajçak, çfarë u diskutua dhe për çfarë u ra dakord

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në një takim të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Ata diskutuan zhvillimet e fundit në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, si dhe zhvillimet e fundit në rajon.

Sipas komunikatës së ZPRK-së, Presidentja Osmani ka theksuar se suksesi i këtij procesi nuk është i rëndësishëm vetëm për Republikën e Kosovës, por edhe për të gjithë rajonin.

Ajo konfirmoi edhe njëherë se Kosova mbetet palë e përkushtuar dhe konstruktive në dialog. Në veçanti, ajo theksoi nevojën për përçim të qartë të mesazhit se epilogu i këtij procesi duhet të jetë njohja e ndërsjellë.

Në takim, Presidentja theksoi po ashtu urgjencën e adresimit të tendencave destabilizuese në rajon, duke potencuar se zhvillimet e fundit në rajon nuk mund të shihen vetëm nga prizmi i çështjeve të Ballkanit Perendimor, por si një kundërvënie e drejtpërdrejt ndaj vlerave, të cilat i përfaqëson Bashkimi Evropian dhe shoqëritë demokratike.

Më tej në komunikatë thuhet se Lajçak-u ka vënë theks tek nevoja për aktivizim të BE-së në rritjen e kredibilitetit të procesit të zgjerimit dhe konfirmimin e së ardhmes Evropiane për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

Ai theksoi se ka hapësirë për progres në kuadër të dialogut, gjersa potencoi rëndësinë strategjike të këtij procesi për gjithë BE-në./albeu.com/