Lazio e kërkon, Muriqi flet për herë të parë: Është hap i madh për mua

Lazio po punon fort për të veshur bardhekaltër Vedat Muriqin dhe transferimi i tij në kryeqytetin italian është bërë një fakt i kryer në mediat përtej Adriatikut.

Megjithatë zyrtarizimi po zvarritet dita-ditës, pasi Fenerbahçe nuk dëshiron të heqë dorë nga shtatlarti shqiptar pa mbushur mirë arkat e saj.

Për herë të parë flet hapur mbi këtë çështje edhe vetë sulmuesi dardan. Në një prononcim për “Beyzar TV”, Muriqi shprehet se kalimi te Lazio është një hap i rëndësishëm për të në karrierë, por nga ana tjetër kërkon të ndahet miqësisht me skuadrën që e ka përzemër, Fenerbahçen.

Sidoqoftë tejzgjatja e negociatave duket se e ka lodhur dhe futbollisti shqiptar kërkon të mbyllet sa më shpejt.

“Fenerbahçe ka një vend shumë të veçantë tek unë. Unë dua të largohem nga këtu me një lamtumirë elegante, duke u përqafuar dhe puthur. Kurrë nuk kam qenë i përfshirë në proceset e negociatave në përputhje me interesat e klubit. Lazio, i cili do të luajë në Serie A dhe Champions League, është një hap i rëndësishëm për të ardhmen time.

Sidoqoftë, kjo zgjatje e procesit filloi të më dëmtojë shumë. Filloi të më konsumojë. Do të jetë mirë për mua të përfundoj këtë proces sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë Vedat Muriqi.


Shtuar 1.09.2020 16:13